Raporti i Performancës nga MAPL, ministri thotë se komunat raportuan të dhëna të pasakta

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka organizuar tryezë diskutimi për rezultatet e Raportit të matjes së performancës së komunave për vitin 2020.

Ministri i MAPL, Elbert Krasniqi, tha se nuk dëshiron të flet për gjetjet e vitit 2020, por foli për rëndësinë e Projektligjit për grantin e performancës.

“Dua të ndalem të dy çështje që janë të rëndësishme – njëra ndër të është Ligji për performancën dhe Ligji për grantin, që tash ka kalu në lexim të para dhe bashkë me kuvendin jemi në draftim dhe presim të miratohet. Dhe pas këtij do të jetë obligim ligjor granti i performancës”, tha ai.

Tutje Krasniqi tha se shpesh herë diskutimet që i ka me kryetarët ata kanë brengat që kjo, sipas tij, s’është në rregull që qëndrojnë më mirë.

“Po raporti po del ndryshe dhe kjo mund të bëhet me mirë me koordinatorët e performancës. Granti i performancës është i rëndësishëm sepse kjo tregon sa është komuna në shërbim të qytetarit, sa është kryetari”, tha ministri.

Ai tha se do te rishikohen indikatorët.

“Indikatorët do t’i rishikojmë edhe njëherë, mos ndonjë indikator është favorizues për ndonjë komunë”, u shpreh Krasniqi.

Ministri tha se disa komuna kanë raportuar të dhëna qe nuk kanë qenë të sakta në të kaluarën, por sipas tij, tash e tutje kjo do të ndëshkohet.

“Kemi kërkuar raporte dhe në të gjitha komunat raportimet kanë qenë jo të sakta. Këtë vit kontrolli do të jetë instrument garantues që komunat të raportojnë drejtë dhe nëse ndodhë që të vërehen raportime të pasakta, jo që do largohen nga granti i performancës por edhe do të merren edhe organet e tjera. Baza ligjore nuk varet prej më prej komunës se a do me raportu apo nuk do, por tash e tutje keni me pas obligim me raportu drejtë”, shtoi tutje ai.

Diellor Gashi nga MAPL tha po ashtu se granti i performancës për komunat do të jetë obligativ me hyrjen në fuqi të projektligjit.

Gashi po ashtu tha se rreth 30% e të dhënave që i kanë dërguar komunat për vitin 2020 nuk kanë qenë të sakta, të mbështetura në referenca zyrtare dhe kanë qenë vështirë të verifikueshme në teren

“Ka pasur të dhëna qe s’kanë korrespoduar me dokumentet burimore dhe si rrjedhojë kanë shkaktuar telashe në konstatimin e vlerave përfundimtare të tyre, si dhe nuk janë përputhur me gjetjet e komisionit të angazhuar në teren. Për shkak të gjetjeve nga monitorimi i drejtëpërdrejtë, disa të dhëna sidomos në fushën e arsimit janë shpallur të pavlefshme në tërësi, për shkak të konstatimit se nuk janë përmbushur siç janë raportuar”, tha ai.

Kreshnik Gashi nga organizatat Internews Kosova dhe BIRN Kosova dhe redaktor menaxhues në KALLXO.com, tha se raporti i performancës i ndihmon shumë gazetarëve për monitorim të komunave.

Ai tha se problematike është favorizimi i ndryshëm i komunave për çështje të caktuara.

“Elementi tjetër është që ky raport ndikon në politikbërjen e komunave dhe një kryetar i ri e ka të qartë se me çfarë probleme e ka komunën. Po mendoj që metodologjia është interesante për m’u impelemtnu në strategji të tjera, e në plane të tjera”, tha Gashi.

Gashi shtoi se shqetësuese është mos saktësia e të dhënave të raportuara nga komunat.

“Duhet me pas parasysh si niveli politik por edhe administrativ, që me qenë të dhënat e sakta dhe mos m’i raportu të rritura sepse shkakton probleme të tjera. Zyrtarët raportues duhet me ngrit seriozitetin e raportimit të dhënave, që të mos ketë diskutime pastaj për saktësinë e të dhënave”, tha Gashi më tej.

Në këtë tryezë është prezantuar edhe sistemi elektronik për performancën e komunave që do të përmbajë të dhënat e komunave.