Albin Kurti. Foto: KALLXO.com.

Kurti flet për ndarjet buxhetore, mohon akuzat për trajtim të pabarabartë të komunave

Kryeministri Albin Kurti në takimin me kryetarët e komunave të Kosovës i ripërsëriti të dhënat buxhetore për nivelin lokal për vitin 2024, dhe u mor edhe me kritikat dhe akuzat e opozitës se Qeveria ka treguar pabarazi rreth ndarjeve buxhetore për komunat.

Për vitin 2024, siç tha ai, buxheti i ndarë për komunat është diku rreth 90 milionë euro më i lartë se i vitit të kaluar, përkatësisht gjithsej 742 milionë euro.

Secila komunë, sipas tij, të paktën për 40 përqind e kanë më të lartë buxhetin se që e kanë pasur para tre vjetësh.

“Arsyeja pse i përsërisim këto të dhëna është se në vazhdimësi po dëgjojmë akuza e kritika për mungesë të mbështetjes nga Qeveria, për pabarazi në mbështetje”- tha Kurti në takimin e mbajtur më 21.02.2024.

Kurti u bëri thirrje kritikëve që mos të kontribuojnë në keqinformim, por në mirëinformim të qytetarëve kur është në pyetje mbështetja nga qeveria.

Ai theksoi se komuna e Ferizajt dhe Gjakovës janë dy nga komunat me më së shumti projekte infrastrukturore, teksa shtoi se komuna e Rahovecit, Obiliqit dhe Skenderajt janë renditur në top tre përfitueset e grantit të performancës.

Ministri i Ministrisë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha që më 09.02.2024 mbajtën ceremoninë e granteve të performancës dhe ftoi  komunat të raportojnë pasi që raportimi është obligim ligjor.

Ndërkaq, Kurti tha që granti i përgjithshëm për komuna për vitin 2024 e kap shumën prej 284.7 milionë euro, që sipas tij është granti më i madhi ndonjëherë.

Për çështjen e trajtimit të qenëve endacakë të të braktisur, Kurti tha që grupi punues në kuadër të MAPL parasheh ndërtim të katër strehimoreve; Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjilan e Kamenicë.

Ky është takimi i gjashtë për tri vite mes Kurtit dhe kryetarëve të komunave.

3 miliardë e 314 milionë euro është buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024.

Nga ky buxhet, janë ndarë 860 milionë euro për investime kapitale.

Buxheti i Kosovës në vitin 2023 ka qenë 3 miliardë e 212 milionë euro.