Ushtarët izraelitë përdorin sulmet seksuale që t’i detyrojnë palestinezët të largohen nga Bregu Perëndimor, thotë raporti
Ekspertët thonë se sulmet të kryera edhe nga kolonët po i bëjnë vajzat të braktisin shkollën dhe të hyjnë në martesa të hershme, ka raportuar të martën (21.04.2026) gazeta britanike, “The Guardian”.
Ushtarët dhe kolonët izraelitë po përdorin dhunë gjinore dhe sulme seksuale dhe ngacmime për t’i detyruar palestinezët të largohen nga shtëpitë e tyre në Bregun e pushtuar Perëndimor, thonë ekspertët e të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ligjore.
Gratë, burrat dhe fëmijët palestinezë kanë raportuar sulme, zhveshje të detyruar, kontroll të trupit, duke ua ekspozuar organet gjenitale, përfshirë edhe ndaj të miturve, dhe kërcënime për dhunë seksuale.
Gjashtëmbëdhjetë raste të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin u regjistruan nga studiuesit për Konsorciumin e Mbrojtjes së Bregut Perëndimor gjatë tre viteve të fundit, një shifër që ka të ngjarë të jetë e nënraportuar për shkak të turpit dhe stigmës me të cilën përballen të mbijetuarit.
“Dhuna e seksualizuar përdoret për të ushtruar presion mbi komunitetet, për të formësuar vendimet për të qëndruar ose për t’u larguar nga shtëpitë dhe tokat e tyre, dhe për të ndryshuar modelet e jetës së përditshme”, ka shkruar grupi i organizatave ndërkombëtare humanitare në një raport.
Studimi, “Dhuna seksuale dhe transferimi me forcë në Bregun Perëndimor”, detajon rrëfimet e përshkallëzimit të sulmeve të seksualizuara dhe poshtërimit të palestinezëve në komunitetet e tyre dhe brenda shtëpive të tyre që nga viti 2023.
Forma të tjera të dhunës së raportuar përfshijnë urinimin mbi palestinezët, marrjen dhe shpërndarjen e fotografive poshtëruese të individëve të lidhur dhe të zhveshur, ndjekjen e grave që përdorin tualete dhe kërcënimet me dhunë seksuale ndaj grave. Studimet e rasteve janë janë dhënë në kushte anonimiteti për shkak të stigmës që rrethon dhunën seksuale.
Sulmet e seksualizuara po përshpejtonin zhvendosjen e palestinezëve, sipas raportit. Më shumë se dy të tretat e familjeve të anketuara identifikuan dhunën në rritje ndaj grave dhe fëmijëve, përfshirë ngacmimin seksual që synonte vajzat, si pikë kthese në vendimin e tyre për t’u larguar, thuhet në vlerësimin e Konsorciumit.
“Pjesëmarrësit e përshkruan ngacmimin e seksualizuar si momentin kur frika u zhvendos nga kronike në të padurueshme. Ata dëshmuan për gratë dhe vajzat duke duruar poshtërimin dhe për llogaritjen e asaj që mund të ndodhte më pas”, thuhet në raport.
Ndikimi i rëndë
Ushtarët izraelitë të pranishëm gjatë abuzimit kishin dështuar vazhdimisht ta parandalonin atë ose t’i ndiqnin penalisht përgjegjësit. Një grua iu nënshtrua një kontrolli intim nga dy ushtare femra, të cilat hynë në shtëpinë e saj me kolonët dhe më pas e urdhëruan të hiqte rrobat për kontroll të plotë trupor.
“Ajo përshkroi se iu udhëzua të hapte këmbët në një mënyrë që shkaktoi dhimbje, dhe përshkroi komente përçmuese dhe prekje të zonave intime”, thuhet në raport.
Burrat dhe djemtë ishin gjithashtu shënjestra të sulmit dhe ngacmimit seksual. Muajin e kaluar, kolonët izraelitë zhveshën 29-vjeçarin Qusai Abu al-Kebash, nga komuniteti verior i luginës së Jordanit, Khirbet Humsa, i vunë një lidhëse në organet gjenitale dhe e rrahën para komunitetit të tij dhe aktivistëve ndërkombëtarë, kanë treguar dëshmitarët.
Në tetor 2023, kolonët dhe ushtarët zhveshën, prangosën dhe rrahën palestinezët nga fshati Wadi as-Seeq, urinuan mbi ta, u përpoqën të përdhunonin njërin me bishtin e një fshese dhe i fotografuan të zhveshur, dhe fotot më pas i shpërndanë publikisht.
Dhuna dhe ngacmimi seksual kishin ndikime të rënda edhe kur komunitetet nuk ishin të zhvendosura, dhe gratë dhe vajzat ishin veçanërisht të prekura keq. Për të kufizuar mundësinë e kontaktit me izraelitë që mund t’i sulmonin ose ngacmonin, vajzat kishin lënë shkollën dhe gratë lanë punën.
Nxitja e braktisjes së shkollimit dhe e martesave të hershme
Kjo gjithashtu kishte shpënë në rritje të martesave të hershme, pasi prindërit, të dëshpëruar për të mbrojtur vajzat e tyre, kërkonin mënyra për t’i larguar ato nga kërcënimet. Të paktën gjashtë familje të intervistuara për raportin i martuan vajzat në moshën midis 15 dhe 17 vjeç.
Qendra e Grave për Ndihmë Ligjore dhe Këshillim (WCLAC) me seli në Ramallah ka dokumentuar gjithashtu përdorimin e dhunës së seksualizuar dhe ngacmimin e grave dhe vajzave palestineze për të copëtuar dhe zhvendosur komunitetet.
WCLAC ka shkruar se gratë në Bregun Perëndimor të pushtuar kishin raportuar sulme seksuale, duke përfshirë penetrimin me forcë gjatë kontrolleve, dhe abuzim, duke përfshirë ushtarët izraelitë që ekspozoheshin ndaj vajzave në pikat e kontrollit dhe ngacmimin e tyre gjatë kontrolleve. Poshtërimi kishte përfshirë talljen e vajzave që ishin me menstruacione.
“Vajzat nuk shkojnë në shkolla dhe shihni martesa të hershme dhe të detyruara. Këta janë të mitur, por ne e dimë që nënat dhe baballarët e tyre po përpiqen t’i mbrojnë duke i dërguar jashtë zonës”, ka theksuar Kifaya Khraim, menaxherja e njësisë së avokimit në WCLAC.
“Gratë humbasin vendet e tyre të punës sepse nuk mund të shkojnë në punë për shkak të dhunës seksuale dhe më pas vendosin të qëndrojnë në shtëpi”.
Khraim ka thënë se beson që ekipi i saj dinte vetëm për një pjesë të vogël të rasteve të dhunës së seksualizuar nga ushtarët dhe kolonët izraelitë. “Kjo është ndoshta 1% e rasteve dhe na u desh të bënim shumë kërkime në komunitetet lokale vetëm për të fituar besimin që njerëzit të na tregonin për këto raste”.
Milena Ansari, drejtuese e departamentit të territorit të pushtuar palestinez në organizatën “Mjekët për të Drejtat e Njeriut – Izrael”, ka thënë se rritja e dhunës dhe ngacmimit të seksualizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar po ndodhte mes një kulture më të gjerë të pandëshkueshmërisë për sulmet ndaj palestinezëve.
Një vendim i kohëve të fundit për tërheqjen e akuzave kundër ushtarëve për përdhunimin e filmuar të një të burgosuri në qendrën Sde Teiman përçoi një mesazh veçanërisht të qartë.
“Zyrtarët izraelitë në fakt po japin dritën jeshile për përdorimin e dhunës seksuale, kur vendosin të mos ndjekin penalisht rastin më të profilit të lartë, i cili është dokumentuar jashtëzakonisht mirë”, tha Ansari. “Ekziston një kulturë e pranimit të sulmit seksual ndaj palestinezëve.
“Pati një diskutim në Knesset (parlamenti izraelit) nëse është apo jo në rregull të përdhunosh një palestinez. Edhe kryeministri nuk tha që Izraeli kundërshton përdhunimin e të burgosurve”. Dështimi i Izraelit për ndjekjen penalisht kolonët që sulmuan palestinezët në Bregun Perëndimor nxiti ish-kryeministrin izraelit, Ehud Olmert, të bënte thirrje në një intervistë “The Guardian” që gjykata ndërkombëtare penale të ndërhyjë për t’i shpëtuar palestinezët nga “terroristët hebrenj”.
Raporti mbi dhunën e seksualizuar si një mjet për zhvendosje të detyruar u mbështet në 83 intervista me komunitete palestineze në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë ata që përballen me dhunën e kolonëve dhe kufizimet e lëvizjes.
Pjesëmarrësit përfshinin njerëz në rrezik, ata që tashmë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, gra, aktivistë të rinj dhe udhëheqës të komunitetit. Gjetjet nuk synojnë të jenë mostër statistikisht reprezantuese e Bregut Perëndimor.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk iu përgjigjën pyetjeve lidhur me akuzat për abuzim seksual nga ushtarët.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com