Ramiz Lladrovci ia dedikon Hashim Thaçit fitoren e grantit të përformancës

Komuna e Drenasit ka fituar sërish grantin e performacës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në vlerë prej 2 milionë e 34 mijë e 775 euro.

Kryetari Ramiz Lladrovci tha se këtë arritje ia dedikon ish-presidentit Hashim Thaçi, pasi kjo datë sipas tij, është afër shpalljes së Pavarësisë dhe Epopesë së UÇK-së.

“Meqenëse jemi në mes të datës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në marsin legjendar, kush më shumë e më mirë se presidenti Hashim Thaçi është personi që identifikohet me këto dy ngjarje të rëndësishme për qenien tonë. Prandaj, vendin e parë për performancën komunale të Drenasit në nivel nacional, ia dedikoj Presidentit dhe shpallësit të Pavarësisë së Kosovës, shokut e bashkëpjesëmarrësit në aksionet e para të armatosura të UÇK-së, Hashim Thaçit”- tha Lladrovci në këtë ceremoni.

Lladrovci shtoi se vendi i parë është arritur falë përkushtimit të secilit zyrtar të ngarkuar me çështjen e performancës si dhe përkrahjen e institucioneve vendore e ndërkombëtare që merren me Grantin e Performancës.

“Vendi i parë nuk është befasi, sepse me vite, jemi komunë në krye të renditjes me suksese të pamohueshme në nivel nacional” – tha kryetari Lladrovci.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e Kosovës, në partneritet me BE-në në Kosovë, dhe qeveritë e Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë, ndanë sot Grantet e Performancës Komunale në vlerë prej 7.85 milionë euro për gjashtë komunat me performancën më të mirë në Kosovë.

Grantet iu dhanë Gllogocit, Lipjanit, Obiliqit, Vitisë, Gjakovës dhe Klinës, për performancën e tyre të mirë gjatë vitit 2021 në fushat e qeverisjes demokratike, menaxhimit komunal dhe ofrimit të shërbimeve publike, ndër të tjera.

Nga shuma totale për grantet, MAPL ka siguruar 3.5 milionë euro, ndërsa partnerët ndërkombëtarë kanë kontribuar me 4.35 milionë euro të tjera.

Si komunat më të dalluara nga komunat me performancën më të mirë, sipas grupit të treguesve të përcaktuar qartë, Gllogoci – vendi i parë, Lipjani – vendi i dytë dhe Obiliqi – vendi i tretë, morën shuma më të larta për t’i stimuluar që ta përmirësojnë më tej transparencën, llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë e tyre, dhe të ofrojnë shërbime cilësore që përputhen me nevojat e qytetarëve të tyre.

Ramiz Lladrovci fiton garën me të gjithë kryetarët e komunave