Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Cilët kryetarë komunash u ankuan për performancën komunale të Drenasit?

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në emisionin “Kallxo Përnime” për herë të parë ka treguar emrat e kryetarëve të komunave që janë ankuar pas publikimit të raportit të performancës së Ministrisë së Pushtetit Lokal, e cila radhiti Drenasin në pozitën e parë për performancen më të mirë komunale.

Lladrovci deklaroi se ka pasur edhe kundërshtarë brenda degës së PDK-së dhe jashta saj që e kanë kontestuar vendin e parë të Drenasit.

“Janë anku xhelozat sepse me bazë nuk kanë pas çka me u anku, sepse unë i kam marrë 72 poena dhe kaq i kam edhe në rivlerësim, nuk ka lëvizë asnjë presje dhjetore në performancë. Ndërsa ata disa që janë anku, janë anku për kriterin e vlerësimit të ligjshmërisë së akteve komunale, se Ministria ua ka vonu sipas tyre. Dhe ata që janë anku, dy prej tyre nuk kanë fitu kurrgjë. Tre janë më shumë që janë anku është Imri Ahmeti  – Lipjan, Xhafer Tahiri – Vushtrri dhe Ardian Gjini – Gjakovë. Janë këta dy të fundit që nuk kanë fitu grant fare për 2019-ën… Këta dy kryetarët e parë janë anku te ish-ministri Rakiq, ndërsa Gjini është anku të ambasadat e huaja. Por unë jam shumë i lumtur për rivlerësim. Kjo e ka pasë fillin nga disa keqbërës në komunën tem, disa kundërshtarë të mi brenda dhe jashtë partisë tem. Më kanë kritiku dhe kanë thanë se nuk është e vërtetë që e ka fitu grantin, pastaj kryetarët janë anku duke besu e duke i dëgju këta”, tha ai duke shtuar se shpreson që edhe në raportin e vitit 2020 të dalin në pozitën e parë”, tha Lladrovci.

Ai këtë grant ia ka dedikuar veçanërisht ish-liderit të PDK-së, Kadri Veselit.

Tutje, Lladrovci tregoi se ku do ta shpenzojnë grantin mbi gjysmë milioni që e fituan.

“Grantin duhet me harxhu brenda vitit fiskal sepse nëse unë nuk e harxhoj humbi poena në të ardhmen. E na i kena dergu disa projekte zhvillimore që i kena dy vjeçare dhe kena bërë memorandum për qoftë në rrjet të kanalizimit, ujësjellësit apo afaltit”, u shpreh tutje Lladrovci.

Komuna e Drenasit e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci është zgjedhur Komuna me performancën më të mirë për vitin 2019, nga Ministria e Administrimit Lokal (MAPL). Medaljen e pranoi më 21 maj 2021.

Shuma e fituar nga Komuna e Drenasit është 517 mijë e 430 euro.