Si do të ndëshkohen komunat që raportojnë rrejshëm për indikatorët e performancës?

Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), deklaroi se asnjë ministri para tij nuk ka dërguar ekipe në terren për të verifikuar gjendjen e raportuar nga komunat lidhur me grantin e performancës komunale.

Krasniqi në emisionin “Kallxo Përnime” tha se në 10 komunat e para që kanë gjetur raportime jo të sakta si masë ndëshkuese ka qenë pakësimi i pikëve. Por paralajmëroi që në të ardhmen do të merren masa më rigoroze për komunat që raportojnë rrejshëm.

“Asnjë ministër më herët nuk ka dërgu ekipe verifikuese mbi raportimin e komunave në terren. Ne e kemi bërë. Për të gjitha komunat kanë qenë indikatorët e njëjtë. Kemi ardhur në përfundim që ka edhe raportime jo të sakta. Ne kemi marrë vendimin që për raportimin e pasaktë të minusohen pikët, nëse një komunë ka thënë që në një shkollë ka kabinet të TIK dhe ne nga pesë mostrat që kemi verifikuar ka dalë që nuk ka kabinet në pesë shkolla, kemi minusu pikët. Këtë vit nuk kemi dashtë që të marrim masat më rigoroze mirëpo në rregulloren e re do të parashihet që raportimi i rrejshëm do të penalizojë komunën në përfitimin e grantit të përformancës”, u shpreh ministri Krasniqi.

Më tej, ministri Krasniqi tha se edhe komunat që udhëhiqen nga kryetarët e komunitetit serb raportojnë, por shton se disa prej tyre hasin edhe në vështirësi.

“Komunat serbe raportojnë, ka një pjesë e tyre vështirësi. Me ligjin e ri kemi paraparë koordinatorët e performancës edhe ekzistojnë, mirëpo një zyrtar mund të jetë për integrime evropiane por edhe koordinator për raportimin në sistem të komunave, kjo me ligj do të institucionet do të punojmë shumë në ngritjen e këtyre personave sepse mund të ndodhë që një komunë të ketë edhe një perfomancë të mirë, por mos të ketë kapacitete të mjaftueshem për prezantimin e saktë të situatës në terren. Edhe në këtë po punojmë, do të kemi raportime të sakta për shkak se interesi ynë është që të ketë performancë të mirë”, tha Krasniqi.