Diskualifikimi i Komunës së Skenderajt nga granti i performances, reagon Bekim Jashari

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pasi kjo komunë është diskualifikuar nga gara për grantin e performancës komunale për vitin 2020, që përfshinë kohën e qeverisjes së tij.

Arsyetimi i Ministrisë së Pushtetit Lokal ka qenë që komuna e Skenderajt për vitin 2020 nuk ka shpenzuar buxhetin prej 75% si kriter bazë.

Jashari ka deklaruar se pushteti aktual në krye me Fadil Nurën, në vend që të bëjë ankesë brenda afatit, kanë njoftuar me krenari që komuna e Skenderajt është eliminuar nga granti i përformancës.

“Neve me kohë ua kemi sqaruar Ministrisë që Komuna jonë ka shpenzuar mbi 80% të buxhetit për projekte kapitale për vitin 2020, mirëpo Ministria e Financave, thesari (edhe pse neve kemi realizuar pagesat brenda afatit ligjor, para datës 24 dhjetor) për shkak të mungesës së buxhetit si pasojë e pandemisë nuk i ka ekzekutuar pagesat në fund të  vitit dhe për këtë ka dalë përqindja më pak se 75 % dhe për këtë komuna nuk ka asnjë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e kryetarit Jashari.

Më 6 mars, Komuna e Skenderajt përmes një komunikate për media njoftoi se është diskualifikuar nga gara për grantin e performancës komunale që e organizon Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Sipas shkresës që ka pranuar kjo Komunë nga MAPL, ajo është vlerësuar me 54 pikë nga gjithsej 92 të mundshme, kështu duke mos përmbushur kriterin minimal prej 75% të realizimit të buxhetit për investime kapitale.

Komuna e Skenderajt ishte radhitur e katërta në raportin e MAPL-së për vitin 2019.

Ky është reagimi i plotë i Bekim Jasharit në rrjetin social Facebook:

Sqarim rreth Grantit të Përformancës

Qeverisja jonë me komunën e Skenderajt për vitin 2020 është shpallur qeverisja më transparente dhe me përformancë më të mirë në mesin e 38 komunave të Republikës  së Kosovës dhe këtë nuk mund ta mohoj askush. Për dallim nga qeverisjet e kaluara që ishin në fund të listës.

Krahas kësaj Ministria e Pushtetit Lokal bashkë me donatorë bëjnë vlerësimin e komunave edhe për grantin e përformancës që shpërblen komunat për përformancën e tyre.

Tani pasi që më nuk jemi në udhëheqje të Skenderajt Ministria së bashku me donatorë kanë vendosur që të eleminojnë komunën lidere në transparencë dhe përformancë nga granti në vlerë financiare, me pretendimin që komuna e Skenderajt për vitin 2020 nuk ka shpenzuar buxhetin prej 75 % si kriter bazë.

Pushteti aktual në vend që të bëjë ankesë brenda afatit, përmes ëebfaqës së komunës njoftuan me krenari që komuna e Skenderajt është eleminuar nga granti i përformancës.

E vërteta është kjo:

Neve me kohë ua kemi sqaruar Ministrisë që Komuna jonë ka shpenzuar mbi 80% të buxhetit për projekte kapitale për vitin 2020, mirëpo Ministria e Financave, thesari (edhe pse neve kemi realizuar pagesat brenda afatit ligjor, para datës 24 dhjetor) për shkak të mungesës së buxhetit si pasojë e pandemisë nuk i ka ekzekutuar pagesat në fund të  vitit dhe për këtë ka dalë përqindja më pak se 75 % dhe për këtë komuna nuk ka asnjë përgjegjësi.

Ky është një fakt që nuk mund ta mohoj askush, as nga Ministria tani e as nga ish Ministrja dhe kështu Komuna e Skenderajt nuk është fajtore pse Ministria nuk ekzekuton pagesat e lëshuara nga komuna në fund të vitit 2020.

Se ne kishim dhe kemi të drejtë e vërteton  Zyra Kombëtare e Auditimit e cila  në raportin e saj për vitin 2020 ka dhënë sqarimin që buxheti i alokuar për investime kapitale në vitin 2020 ishte 3,416,911.00 euro dhe shpenzimi i buxhetit për investime kapitale ishte 2,885,695.68 euro. Nëse shprehet në përqindje i bie që shkalla e realizimit të buxhetit ka qenë rreth 84 %.

Pra nga kjo del se lloqaritja nga komisioni I grantit të përfomancës është bërë gabim dhe nuk është marrë parasysh raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sidoqoftë këtë që tani po e them unë, këtë interes për komunën e Skenderajt, për qytetarët e Skenderajt është dashur ta mbrojë z. Nura, i cili e di shumë mirë të vertetën ose është dashur të di.

Por jo ai në vend që të prezantojë suksesin e komunës sonë si komuna më transparente dhe me performancë në Kosovë, ai vendosi të heshtë.

Sidoqoftë kjo është logjika e tyre e qeverisjes dhe ndryshe nuk mund të presim nga ta.