Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Diellor Gashi tregon si maten performanca komunale dhe granti i performancës

Diellor Gashi nga Ministria e Pushteti Lokal ka folur lidhur me mënyrën si bëhet vlerësimi i performancës së komunave.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ tregoi për dallimin që ka performanca komunale me atë të grantit të performancës.

“Raporti i Performancës Komunale është një dokument nga një studim që e bën Ministria lidhur me perfomancën e komunave në ofrimin e shërbimeve publike, ndërsa granti i performancës është po ashtu një proces tjetër i vlerësimit që ndryshon nga raporti i performancës, por që kanë korelacion mes vete”, ka thënë Gashi.

“Dallimi konsiston në përmbajtje, me grantin e performancës është për shkak që granti nuk ka 119 indikatorë por 30. Dallimi tjetër është në spektrin e vlerësimit, pasi raporti i performancës pasqyron të arriturat e komunave”, tha ai.

Sipas tij, këto raporte bëhen për menaxhim më të mirë të institucioneve si dhe rritje të përgjegjshmërisë te punonjësit.

“Matja si proces për ne është një funksion shumë i rëndësishëm i menaxhimit të çdo institucioni dhe ka si qëllim përmirësimin e punës dhe administratës, të reflektojë në sjelljet e punonjësve, për shkak se matja parasheh disa targete të cilat i planifikon komuna në kuadër të dokumenteve të saja strategjike, pasi kjo ndikon për përgjegjshmëri dhe rritje të itensitetit tek punonjësit”, shtoi tutje ai.

Gashi tutje theksoi edhe numrin e të dhënave që përdoren për matje si dhe mënyra si shkon e gjithë puna deri te Ministria e Pushtetit Lokal.

“Sistemi për perfomanca komunale është krijuar që nga viti 2009 me një numër shumë të ngushtë të treguesve dhe fushave dhe ministria e ka parë si të dobishme që matja të jetë pjesë e prioriteteve strategjike. Ky sistem është zgjeruar dhe aktualisht i kemi 19 fusha të matjes së performancës me 119 tregues dhe përdoren 330 të dhëna në tërësi”, shtoi Gashi.

“Në raportin e performancës marrin pjesë disa nivele të bartësve të sistemit, në nivel lokal janë tri struktura organizative që kanë përgjegjësi për këtë hulumtim të përformancës. Autorizuesi i fundit në këtë drejtim është krytari i komunës i cili ato të dhëna i dërgon për raportim në ministri. Në vlerësimin për grante nuk marrin pjesë komunat në raportim, të dhënat shfrytëzohen nga raporti i performancës, dhe disa nga raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit’, tha Gashi.