Rama takohet me presidentin e Këshillit Evropian: Domosdoshmëria e shtensionimit të menjëhershëm rruga e duher drejt fazës finale të dialogut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar sot me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Rama thotë se me Michel ishin në një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse sipas tij, i vonuar.

“Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar”- ka shkruar Rama në Twitter.

Kryeministri shqiptar thotë se domosdoshmëria e shtensionimit të menjëhershëm, siç thotë Rama duhet kuptuar nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit.

“Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”- ka theksuar Rama.

Tre policët që po mbaheshin në paraburgim tash e 12 ditë në Kralevë të Serbisë sot janë liruar.

Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se gjendja shëndetësore fizike e policëve është relativisht e mirë, por me vullnet të fortë dhe kurajë për të vazhduar detyrën në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

Policët, sipas autoriteteve të Kosovës ishin kidnapuar më 14 qershor nga ana e forcave të Serbisë.

Sipas Policisë së Kosovës, tre policët e arrestuar janë kidnapuar në afërsi të Leposaviqit, përderisa autoritetet serbe po thonë se ata janë arrestuar brenda territorit të tyre.

Ndaj tre policëve, më 16 qershor u vendos masa e paraburgimit prej 30 ditësh nën dyshimin e kryerjes së veprës penale armëmbajtje pa leje, e për lirimin e tyre pati kërkesa të vazhdueshme nga zyrtarët shtetërorë e ndërkombëtarë.

Lirimi i tyre iu kërkua prapë më 22 qershor presidentit serb, Aleksandar Vuçiq gjatë takimit bilateral që ai pati me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Arrijnë në Kosovë tre policët e liruar nga paraburgimi