Kryeministri Edi Rama bën thirrje për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se teksa po afrohet takimi i Këshillit Evropian më 21.03.2024, është thelbësore që të zbatohet Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Aneksin e saj zbatues.

Këtë deklaratë, Rama e ka dhënë në përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, një gjë e tillë është me rëndësi të madhe për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor. 

“Nuk mjafton vetëm njohja e Marrëveshjes që është ligjërisht e detyrueshme. Për të siguruar progres, Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit duhet të përfshihen zyrtarisht si pjesë përbërëse të proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”- ka shkruar Rama në rrjetin social “X” më 18.03.2024.

Sipas Ramës, çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në dhe status quo-ja në lidhje me këtë çelës strategjik për një fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben vetë sigurisë së Evropës.

Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e kishin arritur më 27.02.2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurse, më 18.03.2023 të dy ishin pajtuar në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes. Por, ato marrëveshje nuk u nënshkruan pasi një gjë e tillë u refuzua nga presidenti Vuçiq.

BE vazhdimisht ka kërkuar nga të dyja palët që të zbatojnë gjithçka të dakorduar.

Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell duke përkujtuar përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Ohrit, ka thënë që do të vazhdojnë t’i bëjnë presion Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të lëvizin përpara në zbatimin e marrëveshjeve për normalizim të marrëdhënieve.

Kështu Borell tha në një konferencë për gazetarë më 18.03.2024 në Bruksel.

“Së shpejti do të kemi takimin tjetër të kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen keq se kjo marrëveshja, e cila ishte shumë vështirë të arrihej, nuk është zbatuar. Do të vazhdojmë të bëjmë presion ndaj të dyja palëve në mënyrë që të lëvizin përpara. Por, një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa unë kisha pritur të jetë”- ka thënë shefi i diplomacisë së BE-së, raporton Radio Evropa e Lirë.

Sipas Borell, për fat të keq, përkundër mbështetjes së gjerë ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, Serbia dhe Kosova kanë arritur pak progres.

Më 18.03.2023 ishte arritur Marrëveshja e Ohrit, që është aneksi i Marrëveshjes bazë të datës 27.02.2023 e nënshkruar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e Ohrit përmban afatet e zbatimit të Marrëveshjes bazë, e njohur si ‘Plani Franko-Gjerman’ për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur përparim shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e obligimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje”- tha Borell një ditë më parë.

Borrel: Do vazhdojmë presionin ndaj Kosovës dhe Serbisë