Rakiq thërret për bojkot të zgjedhjeve

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka ftuar serbët në veri të bojkotojnë zgjedhjet të cilat organizohen në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në facebook, Rakiq ka dhënë ‘arsyet’ e tij për thirrjen për bojkot.

“Për shkak të secilit serb të arrestuar padrejtësisht, për shkak të çdo gënjeshtre të thënë nga Kurti, për shkak të çdo plumbi të shtënë në fëmijët serbë, për shkak të reperkusionit të përditshëm që vuan populli serb, për shkak të keqtrajtimit të pandërprerë të serbëve nga njësitet speciale në veri,  për shkak të frikës në mesin e serbëve, të cilën e ndjell politika e Kurtit, për shkak të secilit objekt të shenjtë serb të dëmtuar dhe çdo përmendore të rrënuar, për shkak të mosimplementimit të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara!!! Bojkot i zgjedhjeve jolegjitime dhe joligjore!!!”, ka shkruar Rakiqi në Facebook.

Sot në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, po mbahen zgjedhjet lokale.

Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve ka vendosur ti bojkotoj këto zgjedhje.

Deri më tani procesi ka shkuar pa asnjë incident.

Lajm në Zhvillim – Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës