Lajm në Zhvillim - Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës

E përditësuar – 21:03

KQZ shpall rezultatet preliminare për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultat preliminare të katër komunave në veri të vendit ku sot u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Sipas KQZ-së në Zubin Potok ka fituar Lëvizja Vetëvendosje me 52.1% ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 47%.

Ndërsa në Leposaviq ka fituar kandidati Lulzim Hetemi nga LVV me 73% ndërsa PDK ka marrë 25%.

Në Zveçan ka fituar PDK me kandidatin Ilir Peci me 60% ndërsa LVV ka marrë 37.4%.

Në Mitrovicën e Veriut ka fituar LVV me Erden Atiq me 66.5% ndërsa PDK ka marrë 37%.

Në Zubin Potok garuan për të parin e komunës, Izmir Zeqiri nga PDK dhe Flatron Hasani nga LVV.

Në Mitrovicën e Veriut garuan për kryetar të Komunës, Betim Osmani nga Iniciativa qytetare Mitrovica; Taulant Kelmendi nga PDK dhe Erden Atiq nga LVV.

Në Leposaviq për kryetar të Komunës garuan Albulena Behluli Hetemi nga PDK dhe Lulzim Hetemi nga LVV.

Dhe në Zveçan për kryetar të komunës garuan Ilir Peci nga PDK dhe Sllagjana Pantoviq kandidate e Pavarur dhe Fetah Peci nga LVV.

E përditësuar – 20:25

Në qendrën e votimit me numër 1206b në Koshtovë të Leposaviqit janë numëruar 28 vota.

Në këto rezultate preliminare, 21 vota ka marrë kandidati i LVV-së, Lulzim Hetemi, 2 vota kandidatja e PDK-së, Albulena Behluli Hetemi, ndërsa 5 vota të pavlefshme.

Në garë për kryetar të komunës kanë qen vetëm këta dy kandidat.

 

E përditësuar – 20:18

Zyrtari i Komisionit Qendror Zgjedhor në qendrën e votimit në fshatin Çabër të Zubin Potokut ka prezentuar rezultatet preliminare.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 196 vota ndërsa Lëvizja Vetëvendosje 180 vota.

Në Zubin Potok garojnë për të parin e komunës, Izmir Zeqiri nga PDK dhe Flatron Hasani nga LVV.

E përditësuar – 20:17

Në qendrën e votimit te “Tre rrokaqiejt’, në Mitrovicën Verirore ka përfunduar procesi i numërimit të votave.

Sipas rezultateve preliminare të votave të numëruara, kandidati nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, Betim Osmani ka marrë 2 vota, kandidati i PDK Taulant Kelmendi ka marrë 4 vota dhe kandidati i LVV-së Erden Atiq ka marrë 16 vota.

Në këtë qendër të votimit kanë qenë 8 mije e 750 persona që kanë pasur të drejtë vote, ndërsa numri total i votave është 22 dhe po aq të vlefshme.

E përditësuar – 20:10

Sipas rezultateve preliminare të votave të numëruara në qendrën e votimit 2910B në Zhazhë në Zveçan më së shumti vota, ka marrë kandidati i LVV-së për kryetar Fetah Peci 65, 38 vota kandidati për kryetar nga PDK, Ilir Peci, 2 vota kandidatja Sllagjana Pantoviq.

Në këtë qendër, nga 111 vota, 105 janë të vlefshme të pavlefshme.

E përditësuar – 19:53

DnV: Zgjedhjet në veri, pa asnjë incident apo kërcënim të integritetit të procesit zgjedhor

Organizata Demokracia në Veprim (DnV) tha se refuzimi i partive serbe dhe tërheqja e kandidatëve nga gara zgjedhore ka bërë që zgjedhjet e sotme në 4 komunat veriore të bojkotoheshin nga votuesit serbë.

Sipas DnV-së, siguria e procesit zgjedhor është garantuar nga Policia e Kosovës, e cila ka pasur prezencë në afërsi të të gjitha qendrave të votimit.  Si rrjedhojë, organizata thekson se procesi zgjedhor është përmbyllur pa asnjë incident apo kërcënim të integritetit të procesit zgjedhor.

“Refuzimi i subjekteve politike nga komuniteti serb për të marrë pjesë në zgjedhje, si dhe tërheqja e kandidaturave pas certifikimit nga KQZ, ka rezultuar me bojkotim të zgjedhjeve nga ana e votuesve të komunitetit serb në këtë pjesë. Në këtë drejtim, rol kanë luajtur edhe thirrjet dhe kërkesat e vazhdueshme të Listës Serbe për mospjesëmarrje në zgjedhje të votuesve serb”- thuhet në postimin e DnV në facebook.

Sipas DnV-së edhe lokacioni i kontejnerëve nuk ka qenë i duhuri.

“Qendrat e improvizuara të votimit kanë qenë të vendosura përgjatë rrugëve magjistrale, larg zonave të banuara, duke qenë kësisoj vështirë të arritshme nga votuesit potencial. Gjithashtu, shumica e vendvotimeve kanë qenë të fuzionuara në qendra alternative të votimit, ku numri i votuesve të regjistruar për qendër ka arritur deri në rreth 6 mijë sosh”- thuhet në reagim.

Tutje sipas DnV përderisa në zonat e banuara nga komuniteti serb ka pasur bojkotim pothuajse të plotë të zgjedhjeve, në zonat e banuara nga komuniteti shqiptar, është evidentuar një trend më i lartë i daljes në votime.

“Në këtë mënyrë, ndonëse zgjedhjet plotësuan kriteret minimale ligjore, ato nuk garantojnë legjitimitet politik e përfaqësues të institucioneve që do të prodhohen nga to”- thuhet tutje në reagim.

Në ora 19:00 qendrat e votimit në katër komunat në veri, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok janë mbyllur.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se deri në ora 15:00 mbi një mijë votues kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

E përditësuar – 19:48

Mbi 1500 qytetarë votuan në zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri

Mbi 1 mijë e 500 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar sot në katër komunat në veri të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi është zhvilluar pa asnjë incident dhe se të gjitha vendvotimet janë mbyllur.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se në ora 20:00 do të shpallin rezultatet e zgjedhjeve në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe në Mitrovicë të Veriut.

Ndërsa sipas komunave në Leposaviq kanë votuar 141 votues, në Zubin Potok 385 votues, në Zveçan 204 votues dhe në Mitrovicë të Veriut 837 votues.

 

E përditësuar – 19:07

Mbyllen qendrat e votimit në katër komunat veriore

Ka kaluar ora 19:00 dhe qendrat e votimit në katër komunat në veri, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok janë mbyllur.

Ekipet e KALLXO.com kanë ndjekur nga afër procesin e zgjedhjeve gjatë tërë ditës.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se deri në ora 15:00 mbi një mijë votues kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

Gjatë ditës në qendrat e votimit ka pasur forca të Policisë së Kosovës ndërsa janë vërejtur edhe vetura të EULEX dhe KFOR.

Në Zubin Potok garojnë për të parin e komunës, Izmir Zeqiri nga PDK dhe Flatron Hasani nga LVV.

Në Mitrovicën e Veriut garojnë për kryetar të Komunës, Betim Osmani nga Iniciativa qytetare Mitrovica; Taulant Kelmendi nga PDK dhe Erden Atiq nga LVV.

Në Leposaviq për kryetar të Komunës garojnë Albulena Behluli Hetemi nga PDK dhe Lulzim Hetemi nga LVV.

Dhe në Zveçan për kryetar të komunës garojnë Ilir Peci nga PDK dhe Sllagjana Pantoviq kandidate e Pavarur dhe Fetah Peci nga LVV.

E përditësuar – 18:27

Tri qendra të votimit në Zubin Potok pa asnjë votë

Në tri ri qendra të votimit të vendosura në lokacione të ndryshme, një në vendin e quajtur si ‘Veli Breg’, një në fshatin Jasenovik e tjetra pak kilometra larg pikës kufitare në Bërnjak, të gjitha këto në zonën e Zubin Potokut kanë gati 5 mijë qytetarë të regjistruar për të votuar, por që asnjë nuk ka shprehur deri më tani vullnetin e tyre që të votojnë.

Këto qendra tash e 11 orë janë të hapura por që nuk kanë regjistruar asnjë votë. Në këto zona kryesisht jetojnë qytetarë serbë.

E përditësuar – 15:45

Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet në veri deri në ora 15:00

Mbi 1 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar sot në katër komunat në veri të Kosovës.

Deri në ora 15:00 sipas Komisionit Qendror Zgjedhor në Leposaviq kanë votuar 110 qytetarë; Zubin Potok 240 qytetarë; Zveçan 145 qytetarë dhe në Mitrovicën e Veriut 597 qytetarë.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së deri më tani procesi zgjedhor ka shkuar në rregull dhe pa ndonjë pengesë.

Sot më 23 prill në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut janë duke u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komunash.

E përditësuar – 13:58

Kanë kaluar më shumë Se shtatë orë ndërsa në dy qendra të votimit në Zubin Potok ajo në afërsi të pikës kufitare Bërnjakë e pika tjetër te Dheu i Bardhë (Velji Breg), asnjë qytetar nuk ka votuar.

Ndonëse pika e qendrës së votimit e cila konsiderohet edhe qendra më e madhe ka të regjistruar më shumë se 4 mijë votues në ‘Dheu i Bardhë’, asnjë prej tyre nuk ka dalë në votim.

Ngjashëm ka ndodhur edhe në pikën tjetër, ajo që është e vendosur në afërsi të Bërnjakut. Aty janë më shume se 600 qytetarë të regjistruar për të votuar por nuk ka votuar askush deri më tani.

Në këto dy qendra votimi ekipi i KALLXO.com ka parë se përveç vëzhguesve dhe komisionerëve shqiptarë ka pasur edhe serb.

Këta të fundit janë kryesisht nga vende të tjera të Kosovës si nga Shtërpca e vende të tjera ku jetojnë qytetaret serb bë Kosovë.

 

E përditësuar – 13:12

Tentohet të mbyllet për media dera e klasës në të cilën po votonte kandidatja e PDK-së për kryetare të Leposaviqit

Në katër komunat në veri të vendit sot janë duke u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave.

Në njërën nga qendrat e votimit në Komunën e Leposaviqit (Bistricë, 1217b) gjatë votimit të kandidates së PDK-së për kryetare të kësaj komune, Albulena Behluli Hetemi, përgjegjësit e sallës së votimit tentuan të pengonin mediat që të marrin pamje.

Njëri nga përgjegjësit ka tentuar ta mbyll edhe derën duke thënë se ata nuk kanë të drejtë të hynë brenda.

Paraprakisht, mediat kanë pyetur drejtoreshën e shkollës, Rudina Salihu nëse iu lejohet që të hynë brenda të xhirojnë, e njëjta kishte dhënë përgjigje pozitive.

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi gjatë vizitës në qendra të votimit e quajti keqkuptim atë së çfarë ka ndodhur edhe në pika tjera të votimit kur gazetarët nuk janë lejuar brenda klasave të votimit.

 

E përditësuar – 11:55

313 votues deri më tani në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se sa persona kanë votuar deri në orën 11:00 në komunat në të cilat po mbahen zgjedhjet e parakohshme.

“Procesi zgjedhor në këto 4 komuna është duke shkuar në rregull dhe pa ndonjë pengesë. Pjesëmarrjen e qytetarëve është si në vijim: Leposaviq 28 votues, Zubin Potok, 65 votues,  Zveçan 29, Mitrovica e Veriu 191”- ka bërë të ditur zëdhënësi Valmir Elezi.

Tutje, Elezi ka bërë thirrje tek qytetarët që të votojnë.

“KQZ deri tani, ka kryer të gjitha përgatitjet në bazë të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, sa i përket çështjes së pjesëmarrjen në zgjedhje KQZ, inkurajon qytetarët, as në Ligjin për Zgjedhjet e përgjithshme as në Ligjin për Zgjedhjet lokale nuk është e përkufizuar pjesëmarrja”- ka thënë Elezi.

KQZ ka njoftuar se konferenca e radhës do të mbahet në orën 15:30.

FOTO: KALLXO.com

 

E përditësuar – 10:51

Prokurori i Shtetit në gatishmëri për ditën e zgjedhjeve në veri

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se është duke mbikëqyrë procesin e jashtëzakonshëm të zgjedhjeve në Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan që nga nisja e tij në ora 07:00.

Përmes një komunikate, prokurori i shtetit ka theksuar se janë angazhuar edhe gjyqtarë kujdestarë për çdo eventualitet.

“Që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyr për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”- thuhet në njoftim.

Prokurori i shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, mediave e shoqërisë civile të raportojnë në Polici dhe Prokurori për të gjitha keqpërdorimet zgjedhore.

Sot më 23 prill në Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviq janë duke u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

E përditësuar – 10:43

Në qendrën e votimit 2911B në fshatin Lipë të Zveqan deri tani kanë votuar 7 qytetarë.

Sipas kryesuesit të komisionit, Kujtim Peci në qendrën e votimit në shkollën “Isa Boletini”, të drejte vote në këtë qendër kanë 197 qytetarë.

“Deri tash kanë votu 7 qytetarë, prej komunitetit shqiptar janë. Procesit të votimit ia kemi fillu në orën 8:50 pasi deri në 8:15 nuk na ka ardhë materiali” – tha ai.

Qendra e votimit 2911B në fshatin Lipë të Zveçan
Qendra e votimit 2911B në fshatin Lipë të Zveçan

E përditësuar – 10:39

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut Taulant Kelmendi nga Partia Demokratike e Kosovës ka votuar në qendrën e votimit “Kodra e Trimave”

Për Komunë e Mitrovicës së Veriut, garës i ka hyrë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, Taulant Kelmendi nga PDK, si dhe nga LVV Erden Atiq.

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut Taulant Kelmendi nga Partia Demokratike e Kosovës

E përditësuar – 10:35

Në objektin e shkollës “Haziz Sylejmani” në Mitrovicën e Veriut, në të cilën aktualisht gjendet qendra e votimit me numër 3803b, objekti nuk ka ujë.

Sipas kryesuesit të qendrës, Lorik Hysenaj, që nga mëngjesi kur kanë ardh në këtë objekt komisionerët e KQZ nuk ka pasur ujë.

Qendra e votimit në Shkollën “Haziz Sylejmani” në Mitrovicën e Veriut
Qendra e votimit në Shkollën “Haziz Sylejmani” në Mitrovicën e Veriut

E përditësuar – 10:29

Në qendrën e votimit 2803B në Jasenovik të Zubin Potokut deri më tani asnjë qytetarë nuk ka votuar.

Sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor të drejtë vote në këtë qendër kanë 387 qytetarë.

Afër kësaj qendre KALLXO.com ka parë edhe patrulla të EULEX ndërsa më herët kanë kaluar edhe vetura të KFOR-it.

Qendra e votimit në Jasenovik të Zubin Potokut
Qendra e votimit në Jasenovik të Zubin Potokut
Qendra e votimit në Jasenovik të Zubin Potokut

E përditësuar – 10:18

Radoniqi: Procesi i zgjedhjeve po shkon sipas planit

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Kreshnik Radoniqi së bashku me dy anëtaret e KQZ-së Sami Kurteshin dhe Arianit Elshanin, kanë vizituar qendrën e votimit në ndërtesën e Komunës në Mitrovicë të Veriut.

Radoniqi kërkoi nga qytetarët e komunave, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan që të dalin të votojnë.

“Pam që procesi është duke shkuar në rregull nuk pam ndonjë problem, dua të ftoj të gjithë qytetarët e komunave që të dalin në zgjedhje në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë, të zgjedhin përfaqësuesit dhe të ndërtojnë institucionet legale demokratike”- tha ai.

“Ne si KQZ në bashkëpunim me policinë i kemi marrë të gjitha masat që ky proces të shkoj në rregull, të ketë qetësi, të hapen vendvotimet me kohë sepse gjithçka ka shkuar në bazë të planit”- shtoi ai.

Radoniqi tha që votimi në kontejner nuk do ti pengoj qytetarët për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.

“Mesa e pash siguria është në nivel, nuk besoj që kontenjerët do të jenë pengesë në votim, qytetarët janë të lirë, kanë qasje, dhe është një mundësi që KQZ-ja ua ofron qytetarëve”- theksoi ai.

Sot në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, sot pritet të mbahen zgjedhjet lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një komunikate ka njoftuar qytetarët me të drejtë vote në katër komunat për 19 lokacionet e qendrave të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Kreshnik Radoniqi së bashku me dy anëtaret e KQZ-së Sami Kurteshin dhe Arianit Elshanin

E përditësuar – 10:15

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje ka votuar.

Atiq ka bërë thirrje tek qytetarët që të dalin për të votuar.

“Unë sapo votova. Shprehi mundësin që përmes televizioneve tuaja që me ju bë thirrje të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut që me dal me votu”- ka thënë Atiq.

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq

E përditësuar – 10:13

Kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Zveçanit, Fetah Peci ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar.

Peci në një intervistë për KALLXO.com tha se deri më tani sipas informatave që ka gjithçka është duke shkuar në rregull.

I pyetur për interesimin e qytetarëve shqiptarë për të votuar në këto zgjedhje, ai tha se është hera e parë që ka kaq interesim nga ta për të votuar.

“Gjithçka është tu shku në mënyrë të rregullt shpresoj që gjithçka shkon në rregull deri në fund. Për momentin nuk ka qytetarë serb që po dalim me votu nuk e di deri në fund të ditës. Siguria është në nivel. Është interes për herë të parë (që të dalin në votim qytetarët shqiptar”- tha ai.

Kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Zveçanit, Fetah Peci

 

E përditësuar – 10:05

Mungesa e energjisë elektrike, vëzhguesit mbushin telefonët me gjenerator

Në Velje Breg (Dheu i Bardhë) të Zubin Potokut vëzhguesit të cilët janë thirrur dhe regjistruar për të përcjellur procesin e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe kanë mbetur pa bateri në telefon. Për këtë çështje të njëjtit janë duke shfrytëzuar edhe gjeneratorin.

Në vendvotimin mobil i cili është hapur në mëngjes nuk ka energji elektrike dhe për këtë çështje është bërë edhe pajisja me gjenerator.

 

E përditësuar – 09:59

Prokurorja Fetije Bajrami viziton qendrën e votimit në Velje Breg në Zubin Potok

Gjatë ditës së sotme përveç dhjetëra policëve që janë tashmë të stacionuar në secilin vendvotim apo qendër të votimit në terren është parë edhe

Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës Fetije Bajrami.

E njëjta u pa edhe në vendin e gjuajtur Velje Breg qendra e votimit e cila është vendosur në magjistrale bërnjak-Zubin Potok.

Përveç Bajramit për zgjedhjet që po mbahen sot janë caktuar edhe disa prokurorë të tjerë. Më saktësisht për çdo komunë janë angazhuar nga 2 prokurorë.

Prokurorja Fetije Bajrami viziton qendrën e votimit në Velje Breg në Zubin Potok

E përditësuar – 09:09

Specialët e sigurojnë kandidaten e vetme serbe deri në shtëpi

Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit ka votuar në qendërn e votimit në këtë komunë.

Pantoviq është percjellur nga policia speciale nga qendra e votimit deri në shtëpinë e saj.Katër policë janë duke qëndruar tek dera e shtëpisë, ndërsa një polic është duke qëndruar në mbrojtje të afërt.

Pantoviq është njëra nga dhjetë kandidate në garën për kryetar në zgjedhjet e jashtëzakonshme.Ajo është e vetmja kandidate nga komuniteti serb.

Specialët e shoqërojnë kandidaten e vetme serbe deri në shtëpi – Pamje

 

 

E përditësuar – 08:56

Në Zhazhë të Zveçanit votimi nis me një orë e gjysmë vonesë

Me rreth një orë e gjysmë vonesë ka filluar procesi i votimit në shkollën “Isa Boletini” në fshatin Zhazhë të Zveçanit.

Kjo pasi tek në orën 7:50 ka arritur materiali zgjedhor.

Sipas kryesuesit të kësaj qendre, Liridon Peci, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këtë qendër është 239.

“Është hapur zyrtarisht në 8:25 për shkak se materiali zgjedhor nuk ka arritur më herët dhe deri sa janë bërë të gjitha përgatitjet”- tha ai.

Qendra e votimit në fshatin Zhazhë

E përditësuar – 08:39

Procesi i votimit ka nisur me kohë në objektin e shkollës fillore “Osman Rama” në fshatin Çabër të Zubin Potokut.

Enver Hasani, menaxher i qendrës së votimit “Osman Rama” ka  bërë të ditur se në këtë vendvotim të drejtë vote kanë 1534 qytetarë.

“Votimi ka fillu me kohë në ora 7:00. Votuesit kanë fillu me ardh dhe shpresoj që banorët e Çabrës do të shfrytëzojnë të drejtën për votim”- ka thënë Enver Hasani.

Hasani ka bërë të ditur se në ky fshat është i banuar nga shqiptarët, ndërsa në këto zgjedhje në këtë vendvotim do të votojnë edhe banorët e fshatit Zupç, në të cilin banojnë qytetarë të komunitetit serb.

Për komunën e Zubin Potokut kandidojnë dy kandidatë, Imri Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Flatron Hasani nga Lëvizja Vetëvendosje.

Enver Hasani, menaxher i qendrës së votimit “Osman Rama” – në Çabër

E përditësuar – 08:25

KQZ flet për fillimin e procesit zgjedhor në veri të vendit

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se sipas planifikimeve kanë shpërndarë materialin zgjedhor në bashkëpunim dhe përcjellje të Policisë së Kosovës në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan.

Sipas Elezit me kohë janë hapur 19 qendrat e votimit në këto komuna.

“Deri në këto momente, sipas planifikimeve është bërë shpërndarja e materialit zgjedhor, në bashkëpunim dhe përcjellje të Policisë së Kosovës. Në kohë janë hapur të gjitha qendrat e votimit në këto komuna, 19 qendra të votimit, 6 janë të rregullta ndërsa të tjerat janë alternative”- tha ai.

KALLXO.com ka raportuar se në disa qendra votimi materiali zgjedhor nuk ka arritur me kohë.

E përditësuar – 08:10

Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit voton në qendrën e votimit 2901.

Pantoviq është njëra nga dhjetë kandidatët në garën për kryetar në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Ajo është e vetmja kandidate nga komuniteti serb.

Voton kandidatja e vetme serbe, Sllagjana Pantoviq
Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit

Materiali zgjedhor ende nuk ka arritur në qendrën e votimit 2910B në fshatin Zhazhë të Komunës së Zveçanit, duke e bërë të pamundur fillimin e procesit zgjedhor.

Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar në këtë qendër.

Edhe në njërën nga qendrat në Zveçan materiali zgjedhor ka mbërritur me 20 minuta vonesë.

Vendvotim në fshatin Zhazhë
Qendra e votimit në fshatin Zhazhë

E përditësuar – 07:47

Procesi i votimit ka nisur me kohë në objektin e shkollës fillore “Osman Rama” në fshatin Çabër të Zubin Potokut.

Drejtuesit e kësaj qendre të votimit kanë bërë të ditur për KALLXO.com se në këtë vend votim kanë të drejtë 1534 qytetarë.

Qendra e votimit në Çabër.
Vendvotimi në Çabër

E përditësuar – 07:44

Në qendrën e votimit 1201b në Leposaviq materialet kanë arritur me vonesë, ndërsa në qendrën tjetër me numër 1212b materialet kanë arritur në kohë dhe qendra është hapur për votim në ora 07:00.

Deri më tani në këtë qendër, që gjendet në Jarnije të Poshtme nuk ka pasur asnjë qytetar që ka votuar.

Në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë duke u zhvilluar zgjedhjet komunale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë 19 qendra të votimit në katër komunat.

Vendovim në Leposaviq

E përditësuar – 07:35

Procesi i votimit ka filluar me kohë në qendrën e votimit në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak.

Kryesuesi i Komisionit Zgjedhor në Zubin Potok, Ferit Shabani ka thënë se kanë pasur vështirësi gjatë transportit dhe shpërndarjes së materialit zgjedhor.

“Përkundër vështirësive fillestare kemi hap qendrën e votimit me kohë. Kemi pasur vështirsi gjatë transporti dhe shpërndarjes”- tha ai.

Ai tha se 30 minuta pas hapjes së qendrës së vendvotimeve nuk ka pasur asnjë qytetar që ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar.

Shabani theksoi se presin që qytetarët e katër komunave, Zubin Potok, Lesposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zveçan të shfrytëzojnë këtë të drejtë.

Pamje nga vendvotimet në Zubin Potok

E përditësuar – 07:24

Me 20 minuta vonesë ka arritur materiali zgjedhor në njërën nga qendra e votimit në Zveçan. Në qendrën e votimit që nga ora 07:00 kanë qenë të pranishëm stafi zgjedhor por jo dhe materiali.

Pamje nga Zveçani
Pamje nga Zveçani
Pamje nga Zveçani
Pamje nga Zveçani

E përditësuar – 06:51

Policia e Kosovës duke u përkujdesur për ruajtjen e kontejnerëve të cilët do të përdoren si qendra të votimeve për zgjedhjet në Komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut.

Ekipi i KALLXO.com që po qëndron në Leposaviq dhe në Mitrovicë të Veriut kanë dërguar pamje në të cilat shihet se ende pa u hapur qendrat e votimit, policia është duke bërë ruajtjen e tyre.
Po ashtu rrugës për në Leposaviq janë parë edhe ekipe të Eulex-it.

Rruga për në Leposaviq
KFOR në rugën për në Leposaviq

Dita e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës – 05:51

Në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, sot pritet të mbahen zgjedhjet lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një komunikate ka njoftuar qytetarët me të drejtë vote në katër komunat për 19 lokacionet e qendrave të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.

Prej tyre, 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

Në këtë LINK gjeni 19 qendrat e votimit.

Gjithashtu, KQZ-ja ofron edhe mundësinë që përmes makinës kërkuese https://eomp.kqz-ks.org/ mund ta mësojnë online qendrën e tyre të votimit duke shënuar vetëm numrin personal të identifikimit.

Sipas KQZ-së, në këtë makinë kërkuese janë përditësuar të dhënat e listës votuese në përputhje me vendimin e KQZ-së për miratimin e listës së qendrave të votimit dhe lokacionet e tyre, i datës 14 prill 2023.

Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe –Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok  do të zgjedhin kryetarët e rinj. Ndërkaq, në Leposaviq dhe Zveçan do të votohet edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës të kalojnë në mënyrë paqësore dhe të gjitha palët të përmbahen.

Më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.

Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato RKS – Republika e Kosovës.