Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qysh do të largohet tollovia në kryeqytet? Ky është plani i Përparim Ramës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Perparim Rama, i ftuar në Debat Pernime, ka treguar programin e tij për të zbutur tollovinë në kryeqytet.

Sipas tij, do të krijohen lidhje të reja ndërmjet lagjeve të Prishtinës e po ashtu do të bëhet edhe ridefinimi i qendrës ku do të ndërtohen gjashtë parkingje nëntokësore.

“Problemi i trafikut është rezultat i shumë problemeve të ndryshme, në përgjithësi problemeve infrastrukturore në urbanizëm, mungesë e çerdheve, shkollave e rrugëve. Me intervenimet tona strategjike do të jetë krijimi i rrugës A, lidhja e rrugës B me rrugën A, krijimi i një pjese të unazës e cila lidh Veternikun përmes lagjes Emshir, kalon ka Prroni i Njelmët dhe Bërrnicës së Poshtme e lidhet me rrugën e Mitrovicës e Podujevës. Do ta bëjmë ridefinimin e qendrës e unaza e parë do të jetë qendra e Prishtinës me gjashtë parkingje nëntokësore ku qytetari është i pari, trafiku urban është i dyti e kerri është i treti”, ka thënë Rama.

 

Sonte, për herë të parë, kandidatët për kryetar të Prishtinës debatojnë mes vete në #DebatPernime.

Kandidatët për kryetar të Prishtinës të cilët do të shpalosin programet dhe planet e tyre për kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.

Se si do të duket Prishtina në vitin 2025 do të tregojnë: Arben Vitia nga LVV; Avni Çakmaku nga Fjala; Daut Haradinaj nga AAK; Florim Isufi Partia Balliste; Gëzim Mehmeti nga AKR; Përparim Rama nga LDK dhe Uran Ismail nga PDK.

Kandidatët për të parin e Prishtinës do të përgjigjen përballë Jeta Xharrës për menaxhimin e pandemisë COVID-19, cilat janë planet e tyre për arsim, ambient, kulturë, siguri publike dhe tema të tjera.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës së Prishtinës janë edhe kandidatet për asambliste: Diana Mejzinolli nga LVV; Donjeta Dragusha nga LDK; Dhurata Salihi nga AAK; Eliza Hoxha nga PDK; Figen Shabani nga KDTP; Fiknete Bejta nga AKR dhe Marigonë Tahiri nga Lëvizja për Bashkim.