Foto: QKUK/Facebook

QKUK: Nuk ka më listë të pritjes për Rezonancë Magnetike

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka thënë se është eliminuar lista e pritjes për Rezonancë Mangetike.

Sipas QKUK-së, pacientët që kanë nevojë për këtë shërbim, do ta marrin brenda javës, pa pasur nevojë të presin për një periudhë të gjatë kohore apo të drejtohen në spitale private.

Po ashtu, QKUK ka treguar se për t’iu nënshtruar Rezonancës Magnetike, qytetarët e Kosovës më herët kanë pritur deri në 1 vjet e gjysmë, ndërsa kanë njoftuar po ashtu se janë duke punuar që të reduktohen listat e pritjes edhe për shërbimet e tjera.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, dje ka njoftuar se nga sot pacientët nuk do të presin më për kryerjen e Rezonancës Magnetike.

Krasniqi kishte shkruar se pavarësisht fokusit në luftën kundër COVID-19, është arritur të largohet në terësi lista e pritjes.

“Nga neser pacientët nuk do të presin më për kryerjen e Rezonancës Magnetike. Edhe përkundër fokusit në pandeminë COVID-19, me angazhimin menaxherial dhe profesional të stafit të Radiologjisë është  arritur të eliminohet në terësi lista e pritjes”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”, të dielën.

Krasniqi: S’ka më listë të pritjes në QKUK për rezonancë magnetike