Qeveria: Strategjia e Energjisë do të përfundojë në mars të vitit 2022

Kosova pritet që draftin e parë të Strategjisë për Energjinë ta ketë në muajin janar, kurse kjo Strategji pritet të përfundojë tërësisht në muajin mars të vitit 2022.

Sipas një përgjigje për KALLXO.com të dhënë nga Ministria e Ekonomisë, Kosova bashkërisht me Strategjinë e Energjisë pritet të kryejë edhe një studim mbi kërkesën për energji dhe opsionet më të përballueshme për furnizim me energji.

Kjo Strategji do të ketë vlefshmëri kohore 9 vjet apo nga vitit 2022 e deri më 2031.

Me Strategjinë do të merret grupi punues.

Ministria e Ekonomisë nuk ka bërë të ditur emrat e përveçëm të këtij grupi punues, ndërsa ka thënë se janë anëtarë- ekspertë nga institucionet qeveritare, Asociacioni i Komunave të Kosovës, ZRrE-ja dhe operatorët e sistemit elektroenergjetik duke përfshirë KEK, KOSTT, KEDS, KESCO, Fondi i Efiçiencës si dhe Ngrohtoret.

Në tërësi, ky grup përbëhet nga 23 ekspertë.

“Drafti i parë i Strategjisë së Energjisë pritet të finalizohet gjatë Janarit 2022, ndërsa përfundimi dhe miratimi në Qeveri në Mars të vitit 2022. Përgjatë draftimit të Strategjisë së Energjisë, përmes asistencës së USAID është kontraktuar edhe Qendra Rajonale për Hulumtime të Politikave Energjetike – REKK, ku përveç asistencës në Draftimin e Strategjisë do të hartohet edhe studimi mbi kërkesën për energji dhe opsione më të përballueshme për furnizim”, thuhet në përgjigjen e ME-së.

Tutje në një përgjigje të kësaj Ministrie thuhet se me vendim te ekipit punues janë caktuar tri nëngrupe punuese me ekspertë përkatës të ekipit punues dhe me ekspertë të tjerë specifikë jashtë përbërjes së ekipit punues.

“Janë themeluar nëngrupet punuese në kuadër të Ekipit Punues si në vijim: Nëngrupi për Gjenerim dhe Fleksibilitet; Nëngrupi për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë dhe Efiçiencën e Energjisë dhe nëngrupi për Rregullator, Treg dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar. Nëngrupet punuese kanë mbajtur takime në baza javore (dhe në raste te veçanta edhe më shpesh) në takime fizike dhe virtuale, duke përfshirë edhe takimet virtuale, dy javore me Institutin REKK, ku janë zhvilluar punime rreth hartimit të draftit të Strategjisë së Energjisë për tematikat përkatëse sipas fushëveprimeve të nëngrupeve punuese në koordinim me ekspertizën e jashtme”, thuhet më tej në përgjigjen e Ministrisë.

Qeveria e Kosovës ka shpallur 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energji.

Sipas vendimit të Qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: Vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Në vendim më tutje thuhet se Qeveria mund të fillojë me zbatimin e masave menjëherë porse vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.

Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast Qeveria është e obliguar t’i ndërpresë ato.

Përmes këtij vendimi, Qeveria ka formuar një komitet teknik emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë që ka për qëllim identifikimin dhe paraqitjen e rekomandimeve për ministren e Ekonomisë së Kosovës.

Kosova është duke u përballur prej ditësh me krizë energjetike.

Për shkak të kësaj krize energjetike qytetarët nga 22 dhjetori përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm. Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

Që nga 14 dhjetori, njësia B2 e termocentralit “Kosova B” është jashtë funksionit.

KEK-u aktualisht është duke prodhuar me tri njësi prodhuese të termocentralit “Kosova A” (A3, A4 dhe A5, me kapacitet neto prej rreth 400 MW/h energji elektrike) dhe me njësinë B1 (me kapacitet neto prej rreth 255 MW/h).

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nënshkruar një kontratë në vlerë 248,650 mijë euro për angazhimin e ekspertëve për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ulët në njësinë B2 të termocentralit “Kosova B”.

Fituese e kontratës është “GE Steam Power Service France Representative Office in Kosovo” dega në Kosovë, me të cilën është nënshkruar kontrata përmes procedurës së negociuar më 23 dhjetor.

Kurti: Strategjia e energjisë do të ketë objektiva ambicioze drejtë energjisë së pastër dhe dekarbonizimit

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.