KEK FOTO RTV 21

Riparimi i dëmeve në TC "Kosova B", eksperti gjerman do të paguhet mbi 248 mijë euro nga KEK-u

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nënshkruar një kontratë në vlerë 248,650 mijë euro për angazhimin e ekspertëve për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ultë në Njësinë B2 të Termocentralit B.

Kjo njësi është jashtë funksionit që nga 14 dhjetori.

Fituese e kontratës është “GE Steam Power Service France Representative Office in Kosovo” dega në Kosovë, me të cilën është nënshkruar kontrata përmes procedurës së negocuar më 23 dhjetor.

Financimi është bërë me mjete vetanake të KEK-ut ndërsa kohëzgjatja e kontratës është përcaktuar të jetë 21 ditë. Brenda një ditë kjo kompani e cila do të dërgojë ekspertë në Kosovë do të marrë 11,840 euro.

Në njoftimin për nënshkrimin e kontratës është theksuar që KEK-u nuk ka kapacitete teknike dhe ekspertizë profesionale të përballojë këtë avari me forcat e veta prandaj është i domosdoshëm angazhimi i ekspertëve nga Gjermania të GE, që janë prodhuesit origjinal të turbinës.

“Njësia B2 nuk mund të startohet me këto defekte pa u bërë ky inspektim për të ditur hapat e mëtejmë dhe përcaktuar nivelin e sigurisë se operimit me këtë gjendje. Sa do të jetë nevoja për pjesët e reja, për cilat prej tyre, dhe se cili do të jetë vëllimi i punëve të riparimit duhet ta përcaktohet me këtë inspektim”, theksohet te njoftimi për nënshkrimin e kontratës.

Para disa ditëve, në një konferencë për media, kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, tha se te termocentrali “Kosova B” vetëm blloku B1 është në operim, derisa për bllokun B2 presin ta kthejnë në operim nga data 20 janar.

“Blloku B2 vazhdon të jetë jashtë funksionit shkaku i prishjes nga data 14 dhjetor dhe jemi në proces që ta kthejmë sa më shpejt në operim mirëpo prishja në turbinë është e natyrës më serioze dhe jemi në kontakt me kompaninë që e prodhon turbinën dhe presim që ta dërgojmë ekspertin e tyre dhe ne presim që të dielën ai ekspert të jetë në KEK ku do të fillojmë me inspektimin e situatës dhe ta shohim sa është gjendja e dëmtimeve. Ekziston një vlerësim preliminar që ne presim që diku kah data 20 janar B2 të kthehet në operim”, kishte thënë Krasniqi.

Zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, ka thënë se sonte nuk do ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

Ai tha për KALLXO.com se sot ka pasur pak reduktime në mëngjes, por deri pas mesnatës nuk do të ketë mungesë të energjisë elektrike.

Buzhala para dy ditëve në një konferencë të KEDS-it tha se gjendja me energjinë po shkon drejt përmirësimit pasi çmimet në tregun ndërkombëtar kanë rënë.

“Tani kemi një përmirësim të gjendjes, çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë rënë pasi ka rënë edhe kërkesa për blerje. Sot kemi temperature 7-8 gradë plus, kurse para disa ditëve kanë qenë minus. Kjo ka bërë që të ketë rënë konsumi dhe përmirësim të gjendjes”, ka thënë Buzhala.

Rënien e reduktimeve e ka paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të subvencionimit të importit të energjisë elektrike dhe shtimit të likuiditetit.

Para disa ditëve KEDS-i ka paralajmëruar reduktime të energjisë elektrike nga dy orë për të gjithë qytetarët e Kosovës, me përjashtim të atyre emergjentë. Por ka pasur ankesa nga qytetarët në disa pjesë të Kosovës që reduktimet kanë qenë më të gjata se orari i paralajmëruar.

Për këtë, ministrja e Ekonomisë ka thënë se janë duke përgatitur dosje për t’i dërguar në Policinë e Kosovës.

Sot është protestuar para objektit të KEDS-it, me parullën “KEDS t’i kthehet Kosovës”, ku është kërkuar edhe shkarkimi i ministres Rizvanolli.