Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çka do të thotë ‘gjendje emergjente’ për energjinë elektrike që e shpalli sot Qeveria?

Qeveria e Kosovës, duke u bazuar në Ligjin për Energjinë, ka vendosur që të shpallë gjendje emergjente për furnizim me energjinë elektrike.

Neni 25 i Ligjit për Energjinë flet për shpalljen e kësaj gjendje.

Sipas këtij neni, Qeveria si masë emergjente mund të vendosë kufizime në furnizimin me energji për konsumatorët ose të vendosë obligime të veçanta për ndërmarrjet e energjisë në këto raste: Në gjendje të jashtë zakonshme, në pajtim me përcaktimin e Kushtetutës; në situate të tjera emergjente, nëse Qeveria ka deklaruar se duhen masa emergjente në sektorin e energjisë;

Për çfarëdo aksidenti material në instalimet për prodhimin, transmetimin apo shpërndarjen e energjisë elektrike, termike dhe gazit natyror; dhe çfarëdo aktiviteti terrorist dhe veprimi luftarak.

Tutje në Ligjin për Energjinë, thuhet se në rast se Qeveria vendosë në bazë të paragrafit 1 të nenit 25, vendimi duhet të miratohet menjëherë në të cilat do të përshkruhen rrethanat që e justifikojnë vendimin dhe do të specifikojë në këtë vendim kufizimet që do të ndërmerren.

“Qeveria mund ta zbatojë vendimin në fjalë menjëherë dhe do t’ia dërgojë atë Kuvendit brenda tri  ditësh kalendarike pas miratimit të tij. Brenda shtatë  ditësh kalendarike pas pranimit të Vendimit, Kuvendi do ta miratojë apo do ta refuzojë vendimin në fjalë me shumicë votash të deputetëve të pranishëm në seancë”, thuhet në Ligj.

Nëse Qeveria dështon në parashtrimin e vendimit të vend në Kuvend brenda 3 ditëve, apo nëse Kuvendi dështon në miratimin e vendimit brenda 7 ditëve pas pranimit të tij, ky vendim i Qeverisë nuk do të jetë vlefshëm dhe as nuk do të ketë efekt juridik.

Më tutje, Ligji për Energjinë thotë se nëse Vendimi i Qeverisë i marrë sipas paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 25, e nëse ky vendim miratohet nga Kuvendi, do të jetë i vlefshëm maksimumi 60 ditë, përveç nëse i njëjti zgjatet nga Kuvendi.

“Vendimi mund të zgjatet për periudha të njëpasnjëshme prej tridhjetë  ditësh, me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në gjithsej 180 ditë shtesë. Pas kësaj, kërkohet një vendim i ri i Qeverisë mbi masat e jashtëzakonshme”.

Cilat mund të jenë kufizimet që ka të drejtë Qeveria t’i ndërmarrë?

Ligji për Energjinë thotë se Qeveria, në bazë të vendimit për shpalljen e gjendjes emergjente, ka të drejtë të ndërmarrë kufizime në furnizim me energji elektrike.

Kufizimet që mund t’i ndërmarrë Qeveria janë si më poshtë:

  1. Të vendosë kufizime mbi aktivitetet komerciale që kanë të bëjnë me burime të caktuara të energjisë;
  2. Të vendosë kushte të veçanta komerciale;
  3. Të kufizojë tregtimin e energjisë ose të vendosë kushte të veçanta për tregtimin e energjisë;
  4. të detyrojë prodhimin e energjisë që do të ndodhë në objekte të saktësuara të prodhimit;
  5. Të vendosë detyrime për furnizimin me energji për konsumatorë të caktuar, vetëm në pajtim me kriteret e parapërcaktuara dhe objektive të sajuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe të miratuara nga Rregullatori.
  6. Ministria shpall të gjitha masat kufizuese përmes mjeteve të informimit publik dhe ia paraqet ato Sekretariatit të Komunitetit për Energji.
  7. Ministria me akt nënligjor përcakton rregullat për masat kufizuese të furnizimit me energji në situata emergjente.
  8. Ndërmarrjet e energjisë nuk janë të detyruara të paguajnë çfarëdo dëmi të shkaktuar si rezultat i kufizimeve apo ndërprerjeve në furnizimin me energji elektrike, energji termike apo gaz natyror, të përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 25.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.