Ilustrim

Shpallet 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energjinë elektrike

Qeveria e Kosovës ka vendosur për masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Vendimi është në marrë në mbledhjen e Qeverisë, të premten. Sipas njoftimit të Qeverisë, është themeluar edhe Komiteti Teknik Emergjent, me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve ministres së Ekonomisë. Komiteti identifikon dhe rekomandon zbatimin e masave për të trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara.

“Si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare, sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas Qeverisë, vështirësitë në furnizim me energji elektrike janë paraqitur gjatë muajit dhjetor 2021, për shkak të avarive të shkaktuara në gjeneratorët e termocentralit Kosova B.

“Për të ruajtur integritetin e sistemit dhe kontribuar në balancimin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës dhe atij evropian, Qeveria autorizohet përmes Ligjit për Energjinë, Neni 25, që të shpallë masat e emergjencës në furnizim me energji, në rast se kjo rekomandohet nga Komiteti Teknik Emergjent.

Në bazë të kësaj, do të mund të propozohen masat emergjente në një kohëzgjatje maksimale deri në gjashtëdhjetë (60) ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”, thuhet në njoftim të Qeverisë.