Hysni Mehani, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qëndrimet si ‘nata me ditë’ të Hysni Mehanit për Bekim Jasharin

Kandidati i propozuar për kryetar të Komunës së Skenderajt nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehani ka njoftuar sot se është tërhequr nga gara për zgjedhjet lokale nën arsyetimin se nuk dëshiron të jetë kandidat përball anëtarit të familjes Jashari – Bekim Jashari.

Mirëpo, Mehani si asamblist i LVV-së në kuvendin komunal të Skenderajt ka qenë ndër kritikuesit më të mëdhenj të qeverisjes së Bekim Jasharit. Ai madje e kishte akuzuar edhe për korrupsion.

Përveç në mbledhjet e asamblesë, Mehani kishte hedhur kritika dhe akuza të rënda ndaj Bekim Jasharit edhe nëpër rrjete sociale përgjatë këtyre katër viteve qeverisje.

Shumica e akuzave kanë ardhur pas problemeve që ka pasur Mehani me drejtorët dhe varësit e Jasharit.

Ai në një postim në vitin 2020 kishte thënë se “Gabimi i Jasharit është qeverisja me nxënës të shkollës së njëjtë (PDK-së)”

Tutje në të njëjtin vit, ai tha se “Sikur Bekimi të dinte jo me i lidhë dy fjalë, por t’i kishte dy lidhje me politikë”

Gjithashtu ai kishte qenë edhe kritik ndaj shpenzimeve që janë bërë në qeverisjen e Bekim Jasharit duke thënë se për nga shpenzimet nuk dallojnë nga njëra-tjetra qeverisja e kaluar me atë të tashmen.

E së fundi kritikoi edhe mënyrën e ndarjes së subvencioneve nga ana e Komunës duke e quajtur “korrupsion endemik në ndarjen e subvencioneve”

Mehani ka qenë kundërkandidat i Bekim Jasharit në zgjedhjet lokale 2017.

Asokohe, Sami Lushtaku ishte tërhequr nga gara për ta mbështetur Bekim Jashari. Kurse për zgjedhjet lokale që priten të mbahen më 17 tetor, Lushtaku është shprehur i vendosur për kandidaturën e tij ndonëse përballë ka prapë kryetarin aktual, Bekim Jashari.