Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sami Lushtaku kandidat i PDK-së për kryetar të Skenderajt

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zyrtarizuar Sami Lushtakun si kandidat për kryetar të Skenderajt, për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Zyrtarizmin e kandidaturës së Lushtakut e bëri kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Jam i nderuar që jam sot në mesin tuaj, në qytetin që i ka dhënë Kosovës një burrështetas si presidenti Hashim Thaçi, njeriu që ka shënuar epokën e Kosovës së lirë e të pavarur, i cili së bashku me kryetarin Kadri Veseli dhe bashkëpunëtorë të tjerë, jo vetëm që përmbyllën projektin kombëtar të çlirimit, por edhe të pavarësisë dhe shtetndërtimit”, tha Krasniqi.

“Jam i nderuar të jem këtu me një nga protagonistët e luftës sonë për çlirim, njeriun tuaj, njeriun e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetarin e ardhshëm të Skenderajt, Sami Lushtakun”, shtoi ai.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Skenderajt që ta përkrahin edhe kësaj herë kandidatin e PDK-së.

Lushtaku ka qenë edhe më herët kryetar i Skenderajt, mirëpo në zgjedhjet e kaluara lokale nuk ka marrë pjesë.

Komuna e Skenderajt udhëhiqet nga Bekim Jashari i cili e fitoi këtë komunë si kandidat i pavarur dhe ka zyrtarizuar kandidaturën edhe për një mandat të dytë.