PAMJE - Që nga dje asnjë lëvizje nga Komuna e Ferizajt për pastrimin e mbeturinave

Grumbulli i madh i mbeturinave në qendër të qytetit të Ferizajt për të cilat raportoi dje KALLXO.com nuk janë larguar ende nga askush.

Përveç se në vendin ku kemi raportuar edhe dje, në rrugën “Ahmet Kaqiku”, mbeturinat janë parë edhe në pjesë tjera të qytetit.

Ani pse Komuna e Ferizajit, më 7 gusht të këtij viti kishte njoftuar se situata me mbeturina po shkon drejt përmirësimit.

Në një njoftim, komuna kishte thënë se ka pasur dyfishim të mbeturinave.

“Gjendja e krijuar së fundmi me menaxhimin e mbeturinave, me ç’rast është dyfishuar konsumi, rrjedhimisht edhe shtimi i sasisë së mbeturinave, nga 100 tonelata në mbi 200 tonelata në ditë, po shkon drejt përmirësimit”, thuhej në njoftim.

KALLXO.com edhe sot ka pranuar fotografi nga qytetarë të Ferizajt për grumbullin e mbeturinave që u raportua dje, dhe jo vetëm.

Në adresën e KALLXO.com kanë arritur fotografi edhe nga dy lokacione tjera të Ferizajt ku shihet se sasia e madhe e mbeturinave është prezente.