Gjinekologjia, klinika ku letrat higjienike ‘nuk kanë vend’

Është sfiduese ta gjesh një toalet të kompletuar me të gjitha pajisjet higjienike në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare.

Aty ku ka ujë, mungon shamponi i duarve, aty ku ka shampon të duarve mungojnë letrat higjienike e në ndonjë prej toaleteve mungon edhe uji.

Këto mungesa nuk janë të vetmet.

Kjo klinikë po përballet edhe me mungesë të barnave dhe pacientët e familjarët e tyre janë të paralajmëruar për këtë në një letër me plot gabime drejtshkrimore ngjitur në xhamin e një dere të klinikës.

Barnat nuk janë e vetmja mungesë në këtë klinikë, po të vazhdosh ‘rrugëtimin’ në dhomat ku trajtohen gratë shtatzëna e vëren që letrat higjienike nuk zënë vend fare në këtë klinikë.

KALLXO.com ka vizituar këtë klinikë dhe ka parë për së afërmi gjendjen e papastërtisë në këtë klinikë.

 

Mungesa e letrave higjienike nuk është i vetmi problem në këtë klinikë, në disa prej dhomave të pacientëve por edhe në banjo ka mungesë të ujit e detergjentëve.


Edhe pse në kohë pandemie ku në vend janë të regjistruar mbi 12 mijë të infektuar e qindra të tjerë të vdekur në asnjërën dhomë dhe banjo nuk ka dezinfektues, dorëza apo maska.

Përveç papastërtisë në këtë klinikë ka edhe shtretër të thyer.

Në njërën anë të kësaj klinike janë duke u trajtuar pacientë me COVID-19 ndërsa në anën tjetër gratë shtatzëna dhe lehonat.

KALLXO.com ka folur edhe me disa prej grave të cilat janë të shtrira në këtë klinikë ku janë shprehur të kënaqura me shërbimin që i bëhet nga ana e infermiereve dhe mjekëve.

“Mirë, nuk është keq, gjendjen e kam të mirë. Mirë (po na trajtojnë) jemi duke kaluar mirë. Nuk kam asnjë ankesë”, u shpreh H.G.

Në këtë Klinikë janë 382 shtretër, ku mbi 100 prej tyre janë të lira.

Deri më tani në nivel vendi janë të infektuar me coronavirus dy foshnje dhe rreth 25 gra shtatzëna.

KALLXO.com edhe muaj më parë pati raportuar për papastërtitë në banjot e kësaj klinike.