Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Reagimi i kandidatëve kur shohin banjot e papastërta të QKMF-së në Istog

Kandidatët për kryetar të Komunës së Istogut, në Debat Pernime janë përballur me pamjet e banjove në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Istogut, Ilir Ferati tha se në vitin e parë të mandatit do të bëjnë renovimin e tualeteve ekzistuese në QKMF-në e Istogut.

“Po ashtu edhe në shkolla zakonisht pas çdo cikli mësimor, pushimeve, bëhen renovimet edhe të tualeteve edhe lyerja e hapësirave shkollore dhe dezinfektimi tash për shkak të pandemisë, e njëjta do të vazhdojë, edhe në vitet e ardhshme, po në vitin e parë menjëherë”, tha ai.

Kurse, kandidati për kryetar të Istogut nga radhët e Iniciativës Qytetare Bashkë për Istogun, tha se kjo do të zgjidhet me depolitizim.

“Në kohën kur drejtorët, qoftë të spitalit, qoftë të shkollave nuk do të jenë partiak, ky problem zgjidhet lehtë”, tha ai.

Ndërkaq, kandidati nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Komunës së Istogut, Bekë Berisha tha se do të bëjnë kushte adekuate për pacientët.

“Gjithashtu zgjerimin e listës për medikamentet esenciale, rindërtimin e objektit shëndetësor, pajisjen me të gjitha aparaturat e nevojshme, rritjen e kapaciteteve të personelit mjekësor. Aty rinovohet çdo vit, por jo për shkak të pacientëve, por për shkak të tenderëve”, tha ai.

Kurse, kandidati nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, për kryetar të Istogut, Ali Nimanaj ka thënë se mirëmbajtja e banjove bëhet me disiplinë dhe përkushtim në menaxhimin e institucioneve.

“Aty ku ka nevojë të rinovohet, ndërsa pjesa tjetër duhet të mirëmbahet”, tha ai.

Në anën tjetër, kandidati për kryetar të komunës së Istogut, Agron Avdijaj nga Lëvizja Vetëvendosje, në Debat Pernime ka thënë se kjo gjendje ka të bëjë me menaxhimin.

“Edhe në kohën e pandemisë e kam ngritur edhe çështjen e numrit të stafit jo të vetëm profesionistëve mjekësore por edhe mirëmbajtësve”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Istogut, Agron Avdijaj nga LVV; Ali Nimanaj nga PDK; Bekë Berisha nga AAK; Idriz Blakaj nga IBI; Ilir Ferati nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Istogut: Delvina Sylaj nga LDK; Fjoralba Raci nga LVV; Jehonë Mehmetukaj nga AAK dhe Lirije Demiri-Sadikaj nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.