Merdare - Ilustrim

Që nga 1 prilli në Kosovë kanë hyrë 14 milionë euro mallra serbe e boshnjake

12 milionë euro është vlera e importit që ka hyrë nga Serbia në Kosovë që nga 1 prilli, kur Qeveria hoqi tarifën 100 përqind për produktet ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës dhe e zëvendësoi atë me reciprocitet.

Kurse, 2 milionë euro është vlera e mallrave të hyrë nga Bosnjë e Hercegovina e që ndaj këtij shteti, qeveria kosovare nuk ka vendosur masë shtesë.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se shumica e importeve janë produkteve ushqimore, të industrisë kimike dhe asaj të ndërtimit.

Saktësisht nga data 1 prill deri më 22 prill është 10,161,047.67 euro është vlera totale e mallrave që kanë ardhur nga shteti serb në Kosovë, e që ndër to janë; lopë, dema, mëzata për therje, gjedhe të tjera shtëpiakë jo për riprodhim, bimë, perime, kumbulla të thara, çaj të gjelbër, grurë, misër për farë, miell nga gruri dhe misri, vajra ushqimor, sheqerna, patate, lëngje, ujë mineral dhe natyral, etj.

Në mesin e mallrave që vijnë nga shteti boshnjak që kapin vlerën 2,002,437.08 euro, janë: mish gjedhi, qumësht, kos, mish viçi, biskota, kripë, skeletet prej druri për punët e ndërtimit me beton, pajisjet e heqjes së flokëve, tela e kabllo, pecetat dhe lines peceta për fëmijë, etj.

Ndërkohë që Kosova në të dy këto vende eksporton kryesisht produkte të industrisë kimike dhe asaj të ndërtimit, e që kapin vlerën 951,795.78 euro.

Në Serbi eksportohen këto produkte nga Kosova, siç janë: Manaferra, bukë me erëza, ujë natyral dhe mineral, energji elektrike, mbushje xhami, radiatorët dhe pjesët prej tyre, prej gize të derdhur, makineri dhe aparate për filtrimin ose pastrimin e ujit, fshesat e fshirëseve të rrugëve; fshesa dhe furça të tipit të përdorur në shtëpi, përfshirë furçat e këpucëve dhe furçat e rrobave; furçat për të pastruar kafshët, etj.

Kurse në Bosnjë e Hercegovinë: Patate, verë të kuqe dhe të bardhë, pije freskuese, dyshekë prej materialesh të ndryshme nga goma apo plastika, pa susta brenda, etj., veglat, trupi i veglave, dorëzat e veglave, trupi dhe dorëzat e furçave dhe të fshesave, prej druri; kallëpet e këpucëve, prej druri, etj.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më 7 prill se 1.7 milion euro është vlera e importit që ka hyrë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina në Kosovë që nga heqja e tarifës 100 përqind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Në mesnatën e 1 prillit ka hyrë në fuqi heqja e tarifës 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës dhe zëvendësimi i saj me masën graduale të reciprocitetit ndaj Serbisë, nga Qeveria në detyrë në krye me Albin Kurtin. Kryeministri në detyrë u përball me presion ndërkombëtar për largimin e tarifës, por pa reciprocitet.

Qeveria nuk ka aplikuar asnjë masë ndaj Bosnjë Hercegovinës.

Taksa 100 përqind ishte vendosur nga Qeveria Haradinaj në vitin 2018, si ‘hakmarrje’ ndaj Serbisë për lobimin kundër çnjohjes së pavarësisë së Kosovës dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

 

(Dokument) Qeveria heq tarifën 100 për qind, vendos reciprocitetin me Serbinë