Mallra në një supermarket - Foto: REL

Heqja e tarifës - Nga 1 prilli hynë 1.6 milion euro mallra serbe në Kosovë

1.6 milion euro është vlera e importit që ka hyrë nga Serbia në Kosovë prej kur Qeveria ka hequr tarifën 100 përqind me Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën dhe e ka zëvendësuar atë me reciprocitet.

Ndërsa rreth 100,000 mijë euro është vlera e mallrave të hyrë nga Bosnjë e Hercegovina e që ndaj këtij shteti, qeveria kosovare nuk ka vendosur masë shtesë.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci në një prononcim për KALLXO.com theksoi se shumica e importeve janë produkteve ushqimore, të industrisë kimike dhe asaj të ndërtimit.

“Deri tani kemi 1.6 milion import nga Serbia si dhe rreth 100,000 mije euro nga Bosnja dhe Hercegovina (263 dërgesa nga Serbia dhe 15 nga BH), derisa produkte ushqimore, industria kimike dhe industria e ndërtimit janë produktet më të importuara. Të gjitha dërgesat deri tani ju kanë referuar Kosovës në bazë të vendimit të qeverisë si dhe emërimit ndërkombëtar të Kosovës në aspektin tregtar”, u shpreh Stavileci.

Të dhënat e Doganës tregojnë se nga 1 prilli deri më 5 prill, vlera totale e importeve të mallrave si lëndë e parë nga Serbia është 847,286.65 euro dhe 10,570.20 euro nga Bosnjë e Hercegovina. Në këtë listë hyjnë giza dhe çeliku nga Bosnja, ndërsa drithërat, produktet e industrisë bluajtëse, vajra bimorë dhe shtatore, substancat albuminoidale, plastika dhe artikujt prej tyre, veshjet e këmbëve, galloshet dhe të ngjashme e tyre, vijnë nga Serbia.

Ndërkaq, 881,669.08 euro vlera e importit të mallrave komerciale nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Prej tyre, 780,195.31 euro është vlera vetëm nga shteti serb.

Si mallra komerciale kanë hyrë në Kosovë; vezët, mjalti, druri, letra, kartoni, kafe, çaj, erëza, sheqernat dhe ëmbëlsirat prej tij, mobileri, krevatet, dyshekët, jastëqet, autopjesë, autoveturat dhe mjetet e transportit, etj.

Kurse, Kosova ka eksportuar mallra për në Serbi dhe Bosnjë Hercegovinë në vlerë prej 238,712.59 euro. Në mesin e mallrave që Kosova ka eksportuar atje janë vegla, dorëza të furçave dhe të fshesave prej druri, kallëpet e këpucave prej druri; dyshekë prej materialesh të ndryshme nga goma apo plastike; mana; buke me erëza; sapun në kallëpe për përdorim tualeti; radiatorët dhe pjesët prej tyre, prej gize të derdhur etj.

Në mesnatën e 1 prillit ka hyrë në fuqi heqja e tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës dhe zëvendësimi i saj me masën graduale të reciprocitetit ndaj Serbisë, nga Qeveria në detyrë në krye me Albin Kurti. Kryeministri në detyrë u përball me presion ndërkombëtar për largimin e tarifës, por pa reciprocitet.

Qeveria nuk ka aplikuar asnjë masë ndaj Bosnjë Hercegovinës.

Taksa 100 përqind ishte vendosur nga Qeveria Haradinaj në vitin 2018, si hakmarrje ndaj Serbisë për lobimin kundër (ç)njohjes të pavarësisë së Kosovës dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

(Dokument) Qeveria heq tarifën 100 për qind, vendos reciprocitetin me Serbinë