Punimet në lagje ‘shkatërrojnë’ fushën e sportit në Bregun e Diellit në Prishtinë – VIDEO

Fusha e sportit në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë është dëmtuar si pasojë e disa punimeve në këtë lagje.

Ka disa ditë që në këtë pjesë janë duke u kryer punime, për shkak të ujërave të zeza.

KALLXO.com ka raportuar më parë, pakënaqësitë e banorëve për këtë çështje, të cilat i kanë shprehur para kamerës.

Qytetarët kanë folur për vështirësitë dhe rreziqet nga dëmtimi i kësaj hapësire.

“Kjo gjendje është me fillim kur ka ra bora e parë, prej lagështie edhe ka rrëshqit dheu edhe është dëmtuar fusha e sportit, me pemë me këto krejt” – deklaroi për KALLXO.com Baki Shala, banor i lagjes.

Kurse, Rrahman Beçiri, banor në afërsi të kësaj lagje, tha se këtë gjendje të fushës e ka parë këtë të mërkurë, dhe e cilëson të mjeruar.

“Prej pardje e kam parë, se m’ka ra këtu me pa mjerimin ma të madhin me pa, sikur kur e sheh një njeri që e kanë plagosë edhe s’i jep kërkush ndihmë” – është shprehur Beçiri.

Granit Rugova, drejtor në Drejtorinë e Sportit në Komunën e Prishtinës, ka thënë për KALLXO.com, se janë duke u interesuar për punimet dhe gjendjen e fushës sportive.

Pasi që kontaktuam me kolegët tanë të Drejtorisë së Investimeve Kapitale kuptuam që në atë zonë është bërë ndërhyrje për një kanalizim pranë fushës në fjalë, ku pastaj gjatë punimeve ka pas rrëshqitje të dheut dhe si pasojë është dëmtu edhe fusha’’  – është shprehur Rugova, në përgjigjen e tij me shkrim.

Tutje, ai ka thënë se kanë kërkuar që të sigurohet hapësira dhe të sanohet dëmtimi i fushës.

‘’Nga ana jonë kërkuam që të sigurohet hapësira dhe mos të ndodhë ndonjë rrezik për banorët aty, gjithashtu edhe për tu sanuar dëmtimi i fushës së dëmtuar’’ – ka shtuar Rugova.

Për këto punime, KALLXO.com fillimisht ka kontaktuar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”’, të cilët janë përgjigjur me shkrim, duke thënë se nuk janë duke i kryer ata, dhe sipas tyre, sanim të kanalizimit po bënë Komuna e Prishtinës.