Shkatërrohet fusha e sportit në lagjen Bregu i Diellit

Fusha e sportit në lagjen Bregu i Diellit është shkatërruar.

Ka disa ditë që në këtë pjesë janë duke u kryer punime, për shkak të ujërave të zeza, thonë qytetarët.

Sipas tyre, kjo gjendje e fushës së sportit ka ndodhur gjatë kohës së këtij muaji kur kishte borë.

‘’Kjo gjendje është me fillim kur ka ra bora e parë, prej lagështie edhe ka rrëshqit dheu edhe është dëmtuar fusha e sportit, me pemë me këto krejt” – deklaroi për KALLXO.com Baki Shala, banor i lagjes Bregu i Diellit.

Kurse, Rrahman Beçiri, banor në afërsi të kësaj lagje, tha se këtë gjendje të fushës e ka parë këtë të mërkurë, dhe e cilëson të mjeruar.

“Prej pardje e kam parë, se m’ka ra këtu me pa mjerimin ma të madhin me pa, sikur kur e sheh një njeri që e kanë plagosë edhe s’i jep kërkush ndihmë” – është shpehur Beçiri.

Tashmë kjo hapësirë nuk është e sigurt për fëmijët e kësaj lagje, të cilët e shfrytëzojnë gjatë kohës së tyre të lirë.

“Fëmija këtu s’munden me lu, është rrezik, vrapojnë pas topit bijnë poshtë edhe shenjë e rrezikut është 5-6 metra thellësi” – tha Shala.

Ata kërkojnë që ky rrezik të evitohet sa më parë nga institucionet përgjegjëse.

“Përgjegjësi duhet me marrë ai që e ka prishë, mirëpo u kanë edhe është, ende aty del ujë nga kanalizimi.. duhet me siguru e jo veç me dalë pa sigurim, e kur të ishte siguru njëherë objekti nuk do ishte prishë” – tha Beçiri.

Baki Shala në deklarimin e tij për KALLXO.com shtoi se nuk ka pasur deri më tani ndonjë iniciativë nga banorët për këtë çështje.

“Si banorë veç jemi duke e folë në mes vete, bllokohet rruga, s’kemi mund me dal, me udhëtu askund se e bllokuan me mjete duke punuar” – ka thënë ai.

Ndërkohë, KALLXO.com e ka kontaktuar me shkrim Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘’Prishtina’’ dhe është duke pritur përgjigjet e tyre.