Publikohet ueb-faqja e BIRN-it për Monitorimin e Pronësisë së Mediave në Kosovë

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN në bashkëpunim me “Global Media Registery” ka publikuar sot faqen e internetit të Monitorimit më të madh të Pronësisë së Mediave në Kosovë.

Monitori i Pronësisë së Medias (MOM) është zhvilluar si një ushtrim krijimi harte në mënyrë që të krijohet një databazë e disponueshme publikisht dhe e përditësuar vazhdimisht që rendit pronarët dhe mediat më të rëndësishme në një vend.

MOM-i krijon transparencë mbi kush e ka nën pronësi median, çfarë interesash të lidhura kanë pronarët, në çfarë mase ekzistojnë varësitë dhe për rrjedhojë, kush ka realisht ndikim potencial mbi opinionin publik. Deri më tani, MOM është zbatuar në rreth 20 shtete të botës gjatë tri viteve.

44 media u zgjodhën të jenë pjesë e hulumtimit bazuar në të dhënat e nxjerra nga MediaMetri, Google Analytics dhe prezencës së mediave në rrjete sociale.

Mjedisi medial në Kosovë përfshin tri fusha kryesore: televizionin, mediat online dhe radion, me gjithsej 44 media të analizuara në kuadër të mostrës sonë. Kjo përmbledhje synon të japë një pasqyrë të qartë të gjendjes aktuale të këtyre sektorëve të medias.

Gjetjet e të cilat u prezantuan të mërkurën në Prishtinë shfaqin mungesën e rregullimit të koncentrimit të pronësisë së mediave. Sipas hulumtimit, shteti imponon licencim për radiot dhe televizionet mirëpo, sipas gjetjeve të BIRN, Komisioni i Pavarur i Mediave nuk ka një bazë ligjore me të cilën do të mund të ndalonte që një pronar të blinte numër të madh të televizioneve dhe radiove.

Dhe gjetjet tjera kryesore janë se shteti nuk i ndanë financat e mediave dhe mediat i mbajnë të fshehta. Mediat në Kosovë nuk tregohen transparente kur pyeten rreth pronësisë së tyre dhe të hyrave e fitimit nga reklamimi. Një hulumtim i thellë mbi pronësinë e mediave kosovare shfaqi mungesë transparence në mediat e vendit dhe një bazë ligjore të cunguar e cila do ta garantonte transparencën.

Standardet ndërkombëtare kërkojnë që publiku të dijë se kush janë pronarët dhe kush përfiton në fund nga veprimtaria e mediave.

Në fund të muajit gusht 2023, BIRN kërkoi nga mediat të dhëna mbi pronësinë e tyre. Nga 44 mediat vetëm 15 nga to ofruan të dhëna ndërsa 29 media apo 65.90% nuk ofruan të dhënat e kërkuara.

Gjithashtu, BIRN me kërkesa për qasje në dokumente u kërkoi mediave që të ofrojnë të dhënat financiare. Vetëm tri media, përkatësisht u përgjigjën rreth këtyre të dhënave.

BIRN Kosova po ashtu ka ndarë gjetjet kryesore të hulumtimit me 44 mediat e përfshira në mostër, me qëllim të validimit të të dhënave dhe për t’u dhënë mundësinë që të përgjigjen rreth gjetjeve. BIRN Kosova i ka rishikuar të gjitha përgjigjet e marra nga mediat veç e veç për të siguruar saktësinë e të dhënave, si dhe trajtimin fer, të barabartë dhe objektiv të të gjitha mediave të përzgjedhura.

MOM për rrjedhojë synon të krijojë transparencë dhe t’i përgjigjet pyetjes: “kush eventualisht kontrollon përmbajtjen e medias?”: duke informuar mbi pronarin e mediave më të rëndësishme dhe të llojeve të ndryshme të medias (televizion, radio, internet, shtyp) dhe lidhjet e tyre;  duke analizuar ndikimin potencial mbi procesin e formimit të opinionit bazuar në përqendrimin e audiencës;  duke hedhur dritë mbi rregullat mbi pronësinë dhe përqendrimin e medias si dhe mbi zbatimin e masave mbrojtëse rregullatore

Këtu gjeni ueb-sajtin e Monitorimit të Pronësisë së Mediave në Kosovë të disponueshme në tri gjuhë; Shqip, Serbisht dhe Anglisht LINK.