Komisioni i Pavarur per Media/KPM

Nxirret Rregullorja për pronësinë e mediave në Kosovë, adresohen komentet e BIRN-it

Komisioni i Pavarur i Mediave ka nxjerrë Rregulloren për pronësinë dhe koncentrimin e të licencuarve nga KPM.

Kjo rregullore e nxjerrë më 21 dhjetor të vitit të kaluar parasheh rregullimin e pronësisë, pronësinë e huaj, rastet e ndalesave për pronësinë, e deri te kërkesat që kanë të bëjnë me transparencën e të licencuarve.

Qëllimi i kësaj rregulloreje është vendosja e standardeve që kanë të bëjnë me diversitetin mediatik, transparenca e mediave, pluralizimi, parandalimi i monopolit në tregun medial dhe ndalimi i dominimit – duke promovuar lirinë e shprehjes.

Sa i përket rregullimit të pronësisë, Rregullorja në fjalë parasheh që një person fizik/juridik që e ka një licencë transmetimi audio-vizuel me karakter gjeneralistik mund të marrë vetëm edhe një licencë transmetimi audio dhe anasjelltas.

Për kompanitë të cilat vijnë nga sektori i reklamave apo personat fizik të lidhur me ta mund të kenë në pronësi maksimumi një OSHMA (Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio-vizuale).

Kjo rregullore parasheh edhe kufizimin e atillë që asnjë i licencuar nuk mund të transmetojë më shumë se 30% të vlerës së tregut të përgjithshëm medial të komunikimeve komerciale audovizuale.

Kur flitet për ndalesat e pronësisë, KPM-ja nuk lëshon licencë apo nuk e vazhdon të njëjtën këtyre kategorive:

Partisë politike, bashkësisë fetare, grupit ose organizatës e cila menaxhohet nga individi i cili mban post të zgjedhur ose është anëtar i një organi ekzekutiv të një partie politike; personit juridik i cili menaxhohet nga një individ i cili është i dënuar në një proces sipas standardeve ndërkombëtare për krime që kanë të bëjnë me dhunë dhe mashtrime, e të cilat nuk i janë falur ligjërisht.

Këtu përfshihen edhe personat në krye të OJQ-ve ose kompanive private të cilët janë të emëruar ose zgjedhur në funksione të larta qeveritare ose të subjekteve politike, deri kur personat në fjalë japin dorëheqje nga pozita e tyre në OJQ apo kompani.

Përveç ndalesës së përfshirjes politike, KPM parasheh ndalesa edhe kur ndonjëri nga stafi udhëheqës i OJQ-së apo kompanisë private është dënuar për shpërndarje të materiale që nxisin urrejtje, diskriminim, ose denigrim të personave mbi bazë të çfarëdo baze; përkatësie etnike, origjine kombëtare, fesë, gjinisë, orientimit seksual apo paaftësisë fizike.

Ndalesat e pararara me këtë Rregullore, vlejnë edhe për personat e lidhur me OSHMA, ku përfshihen por pa u kufizuar në bashkëshortët, të afërmit e gjakut në vijë direkte (prindërit dhe fëmijët e tyre, vëllezërit, motrat, adoptuesit dhe të adoptuarit.

Sa i përket transparencës së mediave, KPM-ja detyron të licencuarin të raportojë të dhënat lidhur me detajet e kontakteve të pronarëve direkt, indirekt, emrat e personave të autorizuar që e përfaqësojnë kompaninë.

Tutje specifikohet që nëse pronare është një kompani tjetër, të dhënat duhet shpalosur edhe për atë kompani dhe gjithë strukturën e pronësisë deri në pronarin e fundit.

Nëse kompania bën ndonjë ndryshim në më shumë se 30% të burimeve të financimit, ose ndryshime në strukturën udhëheqëse atëherë këto ndryshime duhet t’i raportojnë në KPM brenda 5 ditëve pune.

Komentet e adresuara nga BIRN të inkorporuara në Rregullore

Në fazën e dëgjimit publik për këtë Rregulloreje, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova) ka dhënë komente jetike, të cilat janë adresuar në tërësi nga Komisioni, e që kanë të bëjnë kryekëput me pronësinë e mediave dhe transparencën e tyre.

Në mesin e propozimeve ka qenë edhe obligimi për të licencuarit nëse pronari është një kompani tjetër duhet të shpalosin të dhëna për atë kompani për gjithë strukturën e pronësisë deri në pronarin e fundit.

Kjo çështje është inkorporuar në nenin 8, ku flitet për “Kërkesat lidhur me transparencën e të licencuarve”.

“Nëse pronari është një kompani tjetër, atëherë të njëjtat të dhëna duhet shpalosur edhe për atë kompani dhe për gjithë strukturën e pronësisë deri në pronarin e fundit”.

Sipas nenit 1 të kësaj Rregulloreje, qëllimi i saj është vendosja e standardeve lidhur me pluralizmin dhe diversitetin mediatik dhe transparencën në pronësinë e mediave.

Më 13 dhjetor të këtij viti,  BIRN në bashkëpunim me “Global Media Registry” ka publikuar faqen e internetit të monitorimit më të madh të pronësisë së mediave në Kosovë.

Monitori i pronësisë së medias (MOM) është zhvilluar si një ushtrim krijimi harte në mënyrë që të krijohet një databazë e disponueshme publikisht dhe e përditësuar vazhdimisht që rendit pronarët dhe mediat më të rëndësishme në një vend.

MOM-i krijon transparencë mbi kush e ka në pronësi median, çfarë interesash të lidhura kanë pronarët, në çfarë mase ekzistojnë varësitë dhe për rrjedhojë, kush ka realisht ndikim potencial mbi opinionin publik.

BIRN ka propozuar edhe çështje që ndërlidhen me obligimin e të licencuarve që të raportojnë të dhëna edhe për pronarët indirektë, përveç atyre direktë.

Kjo çështje është adresuar në pikën 2.1 të nenin 8, ku thuhet se lidhur me transparencën e të licencuarëve duhet të raportohen edhe “emri dhe detajet e kontaktit të pronarit apo pronarëve  të drejtpërdrejtë me aksionet që u mundësojnë atyre të ushtrojnë ndikim në funksionimin dhe vendimarrjen strategjike të medias, si dhe pronarët indirektë…”.

Një pjesë po ashtu me rëndësi, ku BIRN ka dhënë propozim, është te çështja e ndalesës së pronësisë së OSHMA-ve, kur ndonjëri nga stafi udhëheqës i këtyre të fundit ka qenë i dënuar për shpërndarje të materialeve që nxisin urrejtje, diskriminimin, ose që denigrojnë persona në bazë të çfarëdo baze të diskriminimit.

Një çështje e propozuar, e po ashtu e adresuar nga KPM-ja, ka të bëjë me pasojat që do pasonin në rast të fshehjes së informacioneve të kërkuara, të cilat do të rezultonin me refuzimin të kërkesës për licencë.

“Fshehja e informacioneve të kërkuara… të cilat po të ishin të njohura në kohën e marrjes së vendimit do të rezultonin me refuzimin e kërkesës, mund të kenë si pasojë diskualifikimin për marrje të licensës ose ndërprerje të licenës së KPM-së”thuhet në pikën 3 të nenit 6 të Rregullores së miratuar.

Deri më tani, MOM është zbatuar në rreth 20 shtete të botës gjatë tri viteve.

Në fund të muajit gusht 2023, BIRN kërkoi nga mediat të dhëna mbi pronësinë e tyre.

Nga 44 mediat vetëm 15 nga to ofruan të dhëna ndërsa 29 media apo 65.90% nuk ofruan të dhënat e kërkuara.

(Shënim: Tekstit i janë shtuar disa paragrafe neë fillim, si plotësim me ato se çfarë përmban dhe çfarë ka për qëllim kjo Rregullore KPM-së – Koha e editimit: 12:40 – 29.01.2024)