Millan Radoiçiq

Prokuroria Speciale shpall urdhërarrest të ri ndërkombëtar për Radojiçiqin dhe 10 të tjerë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, për lëshimin e urdhërarrestit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Milan Radojiçiq.

Kjo u konfirmua për KALLXO.com ka zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.

Sipas saj, urdhërarresti është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022.

Por përveç Radojiçiqit, Prokuroria ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj 10 persona të tjerë të dyshuar në këtë rast të dyshuar për veprat penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, “thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”.

“Duke u hetuar janë rreth 50 persona, për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese. Ndërsa për veprimet tjera publiku do të njoftohet në kohë, pasi duke pasur parasysh se rasti është në fazën e hetimeve, aktualisht nuk mund të ndajmë më shumë informacione” – tha Luta.

Barrikadat u vendosën në veri të Kosovës më 10 dhjetor 2022 në lokacione të ndryshme në zonën veriore të vendit që është e banuar me shumicë serbe.

Vendosja e tyre erdhi pas arrestimit të ish zyrtarit policor serb Dejan Pantiq, të cilit sot iu është vazhduar masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë pasi i njëjti dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste.

Largimi i barrikadave kishte filluar më 29 dhjetor 2022, pas njoftimit për ndryshim të masës së sigurisë ndaj Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Kryetari i Listës Serbe Zlatan Elek ishte paraparë të intervistohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 18.06.2025, në ora 13:30. Por, ky intervistim është shtyrë për herë të dytë për një datë tjetër, me kërkesë të Mbrojtjes së Elekut, për arsye shëndetësore të avokatit të tij.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Prokurorisë Speciale Arbnora Luta, e cila ka shtuar se intervistimi i tij ka qenë për rastin e vendosjes së barrikadave në veri gjatë vitit 2022. Elek ka pasur të intervistohet edhe për pengimin e personit zyrtar në kryerje të detyrave zyrtare dhe thirrje për rezistencë e bashkim në veprimtari kundërkushtetuese.

Por Milan Radojiçiq është emër i njohur për organet e drejtësisë në Kosovë. Radojiçiq i priu grupit terrorist që kreu sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ndaj Policisë së Kosovës, nga ky sulm u vra Afrim Bunjaku, rreshter i Kosovës. Milan Radoiçiq ka pranuar zyrtarisht me anë të një letre se ka qenë mbrapa sulmit terrorist.

Por vite më parë, Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit i cili u vra në vitin 2018 në Mitrovicën e Veriut. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen.

Më 03.02.2022 Radojiçiq ka arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak.

Pas një kohe Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar. Kjo ishte hera e dytë që Radojçiq arrin t’i arratiset Policisë së Kosovës. Katër vite më parë ai ishte larguar nga banesa e tij pak minuta para se Njësitë Speciale të tentonin ta arrestonin.

KALLXO.com kishte publikuar më 04.02.2022 ekskluzivisht pamje se zyrtari policor, Goran Millivojeviq ishte shef i ndërrimit në pikën kufitare të Bërnjakes në ditën kur nga kjo pikë u arratis i kërkuari Millan Radojiçiq. Përpos rrethanave që në pikën kufitare atë ditë nuk kishin punuar kamerat, raportimi i KALLXO.com kishte zbuluar se eprori i policisë, Goran Millivojeviq ishte pjesë e ekipit të futsallit i cili zhvillon gara në Mitrovicën e Veriut, e që është i financuar nga biznesi i cili është në pronësi të Millan Radojiçiq.

Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Sërgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq, të gjithë serbë nga Kosova, janë vendosur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të këtij Departamenti, publikoi një listë të personave dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.Pas SHBA-së, edhe Britania e Madhe në dhjetor të vitit 2022 ka sanksionuar e nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Në raport thuhet se Millan Radoiçiq, biznesmen i industrisë së ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe, “ka përfituar nga shpërdorimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’i dhënë kompanive të tij të ndërtimit kontrata fitimprurëse”.

“I forti” i veriut, i cili e ka marrë postin e nënkryetarit të Listës Serbe në qershor të vitit 2018, është takuar me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, në zyrën e kryeministrit, në ndërtesën e Qeverisë dhe është takuar në një jaht në Budvë me kryetarin e AKR-së dhe ish-presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli.

Kush është Millan Radoiçiq, lideri “në hije” i serbëve të Kosovës?