Policia në Zveçan gjen thasë të tjerë me rërë në një shtëpi private

Policia e Kosovës ka vazhduar hetimet në lidhje me rastin e djeshëm në Zveçan, ku u gjetën thasë me rërë, të cilët dyshohet se ishin përdorur për krijimin e llogoreve në kohën e barrikadave në vitin 2022.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri i Policisë së Kosovës, Veton Elshani për KALLXO.com tha se sot kanë ndërhyrë në një shtëpi private, me ç’rast kanë hasur në thasë të tjerë me rërë, që dyshohet se u përdorën për të njëjtat qëllime si rasti i djeshëm.

“Sot rreth orës 14:00 Policia në vazhdën e hetimeve të rastit të djeshëm ka ndërhyrë edhe te një shtëpi private ku ka hasur në thasë të tjerë me rërë e që besohet të kishin qenë aty që nga koha e barrikadave në vitin 2022”- ka thënë Elshani për KALLXO.com.

Elshani tha se hyrjen në shtëpi e kanë bërë me prezencë të pronarit të shtëpisë, i cili sipas zëvendësdrejtorit “është edhe pronar i shtëpisë ku dje i kemi konfiskuar disa pajisje të lojërave të fatit”.

Zëvendësdrejtori thotë se pronari momentalisht është duke u intervistuar.

Në raportin 24 orësh të Policisë thuhet se gjatë kontrollit të një lokali në Zveçan, Policia ka gjetur dhe sekuestruar disa pajisje elektronike që shërbejnë për organizim të lojërave të fatit. Sipas raportit, rasti ka ndodhur dje rreth orës 11:30.

Në anën tjetër, dje në orët e hershme të mëngjesit, ekipet e Policisë, kryesisht hetues policorë, nën asistencë edhe të disa zyrtarëve të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, por edhe pjesëtarëve të EULEX-it, kishin nisur një bastisje në këtë objekt.

Informacionet që kishte pranuar Policia ishin për disa materiale të dyshimta të cilat ishin përdorur në të kaluarën në barrikada.

Fjala ishte për disa thasë me rërë të cilët ishin përdorur për krijimin e disa llogoreve në kohën e barrikadave.

Objekti trekatësh, i fasaduar, me disa tavolina në disa prej dhomave, nuk ishte funksionalizuar ende.

Që nga kati i parë vërehen gjurmë të rërës, e cila dyshohet se ishte dërguar aty, më pas ishin mbushur thasët dhe ishin dërguar në katin e tretë për t’u përdorur sërish në rast të ndonjë incidenti tjetër.

Zëvendësdrejtori i Policisë, Veton Elshani, gjatë një interviste për KALLXO.com nga vendi i ngjarjes tregon edhe se si ishte marrë informacioni.

Materiali nga rëra, sipas Elshanit, ishte shfrytëzuar në kohën e barrikadave në vitin 2022. Që nga ajo kohë, sipas Elshanit, rëra dhe thasët janë bartur më pas në këtë objekt në pronësi të Komunës së Zveçanit.

Tutje Elshani shpjegon se këta thasë dyshohet se janë përdorur si llogore për të sulmuar Policinë dhe për të ruajtur apo mbrojtur barrikadat.

Çka dihet rreth objektit në Zveçan në të cilin u gjetën thasët me rërë?