Kush është Millan Radoiçiq, lideri “në hije” i serbëve të Kosovës?

Nuk shfaqet shpesh në publik e në media, por ndikimi i tij te serbët lokalë në Kosovë është i madh. U “shpëtoi” disa herë organeve të ndjekjes ndërsa së fundmi po dyshohet se u përfshi në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit ndaj Policisë së Kosovës. Por, cili është profili i Radoiçiqit, personit i cili është në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Millan Radoiçiq, nënkryetar i partisë Lista Serbe, aktualisht besohet se gjendet në kryeqytetin serb, Beograd, duke u shëruar pasi dyshohet se është plagosur gjatë sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës, të dielën, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, tha të martën se Radoiçiq u pa në manastirin e Banjskës. Pamjet e marra nga droni shfaqën një grup terroristësh të armatosur e uniformuar, të cilët mbanin maska e kapela ushtarake.

Prej vitesh, Radoiçiq është përshkruar si “bossi i veriut”, duke u bërë njeriu më me ndikim te serbët lokalë në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Për disa vite, ai ishte në kërkim nga organet e drejtësisë së Kosovës, por arriti t’u shmangej disa herë.

Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, ishte arratisur në shkurtin e vitit 2022, në pikën kufitare të Bërnjakut, në veri të vendit.

Arratisja e tij kishte ndodhur gjatë mandatit të Qeverisë Kurti dhe për këtë rast ishin suspenduar disa policë që ishin në pikën kufitare, të cilët më pas ishin kthyer në punë.

Pamjet ekskluzive, të filmuara nga kamerat e EULEX-it, u transmetuan në emisionin “Kallxo Përnime” të shtunën më 23 shtator.

Radoiçiq ishte pjesë e hetimeve për rastin “Brezovica” për shkak të dyshimeve për ndikim në dëshmitarë.

Në vitin 2018, politikani serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën e Veriut. Hetimet e organeve të drejtësisë zbuluan pistat që përfshinin Millan Radoiçiq në vrasjen e tij e për këtë Prokuroria Speciale kishte lëshuar edhe një urdhër-arrest. Por, në fillim të vitit 2021, ky urdhër-arrest është tërhequr nga organet e ndjekjes.

Vetëm pak ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë heqjen e fletarrestimit ndaj Millan Radoiçiqit, ai ishte parë duke hyrë në territorin e Kosovës.

KALLXO.com kishte mësuar se më 9.3.2021, rreth orës 12:00, Millan Radoiçiq, kishte hyrë në pikë-kalimin kufitar në Bërnjak.

Millan Radoiçiq shihet si njeri i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, derisa shpesh u  prit edhe në takime zyrtare në Beograd.

Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Sërgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq, të gjithë serbë nga Kosova, janë vendosur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të këtij Departamenti, publikoi një listë të personave dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”. Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Pas SHBA-së, edhe Britania e Madhe në dhjetor të vitit 2022 ka sanksionuar e nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Në raport thuhet se Millan Radoiçiq, biznesmen i industrisë së ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe, “ka përfituar nga shpërdorimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’i dhënë kompanive të tij të ndërtimit kontrata fitimprurëse”.

“I forti” i veriut, i cili e ka marrë postin e nënkryetarit të Listës Serbe në qershor të vitit 2018, është takuar me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, në zyrën e kryeministrit, në ndërtesën e Qeverisë dhe është takuar në një jaht në Budvë me kryetarin e AKR-së dhe ish-presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli.

Radoiçiq dhe bizneset

Radoiçiq është krahu i djathtë i Zvonko Veselinoviqit, një biznesmen serb nga veriu i Kosovës, i cili përshkruhej në raportet e Policisë serbe dhe të inteligjencës të marra nga “KRIK” si një figurë kryesore e krimit të organizuar.

Sipas këtyre raportimeve, grupi i tij ishte i përfshirë në krime të ndryshme, përfshirë trafikimin e drogës, armëve dhe naftës në veri të Kosovës. Radoiçiq punonte si korrier, duke transportuar pako me drogë nga bosët shqiptarë të drogës në Serbi.

Hulumtimet gazetareske zbuluan se Millan Radoiçiq në vitet e fundit kishte zgjedhuar aksione në kompani të mëdha, njëra prej tyre ishte ajo në fushën e ndërtimit të rrugëve.

Hulumtimet e tjera e lidhnin Radoiçiqin me njerëz nga Kosova.

Kompania “RAD”, pronar i së cilës është Radulle Steviq, që është futur së fundmi në “listën e zezë” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pjesë e grupit të Millan Radoiçiqit, kishte kontraktuar kompaninë  në pronësi të qytetarit të komunitetit shqiptar (“N.N.T A.B.C” me pronar Arben Jetullahun) për të realizuar një numër të madh të projekteve kapitale në katër komunat me shumicë serbe.

Në tetor të vitit 2019, “KRIK” kishte publikuar një fotografi, në të cilën shihej kryetari i AKR-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, në takim me Millan Radoiçiqin, Goran Rakiqin dhe të tjerë. Sipas “KRIK”, takimi i Pacollit me Millan Radoiçiqin ka ndodhur në verën e vitit 2017, në kohën kur AKR braktisi LDK-në për të qeverisur në koalicion me PDK-në, AAK-në dhe Nismën, me kryeministër Ramush Haradinajn.

Në janar të vitit 2021, Pacolli në “Kallxo Përnime” e kishte komentuar fotografinë me Millan Radoiçiqin në jaht.

“Unë kurrë s’e kam njohur kush është Millan Radoiçiqi. As emrin nuk ia kam dëgju. Unë kam shkuar në Budva dhe është parkuar jahti im në një vend afër, sepse ka qenë më i madhi prej tyre. Derisa është lidhë jahti im aty është parkuar një jaht tjetër” – kishte deklaruar Pacolli.

“Është përgatitur sofra për me ngrenë darkë me fëmijët e mi, në atë tavernën aty. Në anën tjetër unë po i shoh deputetët e Republikës së Kosovës, nuk ua kam ditë emrat, por e kam njohur Goran Rakiqin. E kam kryer darkën dhe kemi dalë prej aty. Del Rakiqi prej aty edhe vjen te unë edhe thotë ‘a Behgjet sa mirë që po të shoh’. I kam thanë: “Prit se e kam një befasi për ty” edhe e kam thirrë Agim Bahtirin sepse ata janë shokë dhe takohen. Bile Agim Bahtiri m’u ka idhnu se ka mendu që e kemi planifiku me u taku e s’e kam ftuar” – vazhdonte rrëfimi i Pacollit.

“Rakiqi më thotë: “Eja tek ne, te jahti ynë për pije”. Pa asnjë paragjykim unë hy aty. Të betohem dhe ta jap fjalën e nderit, e kam pi një pije. S’e kam ditë jahti i kujt ka qenë. Sa kemi qenë aty ka ardhur një person tjetër dhe është ulë. Askush s’e ka prezantuar si Millan Radoiçiq. Unë jam dal, i kam marrë fëmijët e mi dhe jam dalë në qytet. Unë i kam njohur veç 3 njerëz aty, Rakiqin dhe dy deputetë” – ka deklaruar Pacolli.

Sipas tij, takimi ka zgjatur vetëm 10 minuta dhe nuk e ka pasur ndonjë kërkesë ndaj tij.

Takimi i Haradinajt me “njeriun e fuqishëm” të veriut të Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më 12 korrik 2018, kur ishte kryeministër, e kishte pritur në zyrën e tij kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Goran Rakiq, dhe nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiqin.

Në një deklaratë u zbuluan vetëm disa detaje, duke përmendur vetëm se “ata diskutuan gjendjen e përgjithshme në Kosovë me një theks të veçantë në aspektet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe social”.

Haradinaj është kritikuar për takimin me një figurë të diskutueshme si Millan Radoiçiq.

Radoiçiq si nënkryetar i Listës Serbe mori fokusin kryesor të takimit.

Emri i  Radoiçiqit u përmend nga politikani i ndjerë serb, Oliver Ivanoviq, i cili u vra në janar të vitit 2018, në intervistën e tij të fundit me BIRN, si figurë kyçe dhe mbajtëse e vërtetë e pushtetit në veri të Kosovës.

“Qendra e pushtetit nuk është në ndërtesën e bashkisë – sepse ndërtesa e komunës i takon kësaj qendre tjetër informale të pushtetit” – deklaroi Ivanoviq duke iu referuar Radoiçiqit.

Pas vrasjes së Ivanoviqit, një tjetër politikane e rëndësishëm serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq, tha se  Radoiçiq “kontrollon jetën” në Kosovën veriore të drejtuar nga serbët.

Tërheqja misterioze e urdhër-arrestit për Millan Radoiçiqin

Në korrik të vitit 2019, më shumë se një vit nga vrasja e Oliver Ivanoviqit, ishte lëshuar urdhër-arrest ndaj Millan Radoiçiqit.

Ish-prokurori special, Sylë Hoxha kishte deklaruar për KALLXO.com se me kërkesën e Prokurorisë, Gjykata e Prishtinës kishte lëshuar urdhër-arrest për arrestimin e Millan Radoiçiqit, të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në fillim të vitit 2021 (në kohën kur Qeveria drejtohej nga Avdullah Hoti), Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj njërit nga të kërkuarit për vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit.

Atëherë, lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar gjykatësi Valon Kurtaj.

“PRSK (Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës) ka bërë kërkesë për tërheqjen e letër-rreshtimit dhe gjykata duke vepruar sipas kërkesës së saj e ka tërhequr letër-rreshtimin” – kishte deklaruar Kurtaj për KALLXO.com.

Prokurori, të cilit i ishte transferuar lënda pasi ish-prokurori Sylë Hoxha kishte dalë në pension, është Burim Çerkini. Çerkini kur ishte pyetur nga KALLXO.com se pse është tërhequr urdhër-arresti ndaj Milan Radoiçiq, ai kishte deklaruar se kjo është konfidenciale dhe se nuk mund të deklarohet në lidhje me këtë rast.

Vetëm pak ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë heqjen e fletarrestimit ndaj Milan Radoiçiq, ai është parë duke hyrë në territorin e Kosovës.

Siç kishte mësuar KALLXO.com, më 9 mars 2021, rreth orës 12:00, Millan Radoiçiq, është parë duke hyrë në pikë-kalimin kufitar në Bërnjak.

Aktakuza e ngritur në fillim të vitit 2019 është ndryshuar disa herë deri tani por ende nuk ka aktgjykim. Fillimisht ajo është ndryshuar më 30 dhjetor 2019 e më pas në fillim të nëntorit të vitit 2020.

Në nëntor të vitit 2018, Policia e Kosovës në një operacion në veri të Mitrovicës ka arrestuar disa persona. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe një epror i policisë, një pjesëtar i zyrës së Oliver Ivanoviqit dhe dy persona të tjerë. Po ashtu ishte bastisur edhe shtëpia e Milan Radoiçiq, por ai nuk është gjetur në shtëpi. Siç kishte mësuar KALLXO.com, Policia e Kosovës kishte bastitur dia lokacione në veri të Mitrovicës dhe ka arretuar katër persona të dyshaur lidhur me vrasjen e ishpolitikanit serb, Oliver Ivaninoviq.

Kush janë serbët e Kosovës të përfshirë në listë?

Lista e zezë e publikuar nga Departamenti i Thesarit të ShBA-së, përfshin Zvonko Vesellinoviqin dhe vëllain e tij, Zharko, të cilët, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Departamenti i Thesarit amerikan i akuzon se kanë bërë marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar partitë e tyre që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se u kanë dhënë para kandidatëve.

Në këmbim, politikanët u kanë dhënë vëllezërve Veselinoviq kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione mbi pronësinë për t’i mbështetur investimet e tyre dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit të tyre, njoftoi Departamenti i Thesarit.

Sipas tij, në listën e sanksioneve, i lidhur me Zvonko Veselinoviqin është edhe Millan Radoiçiq, nënkryetar i partisë kryesore serbe në Kosovë – Lista Serbe.

Radoiçiq për lidhje me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Në listë është edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i Operacioneve të Policisë së Kosovës për Veriun, i cili gjithashtu dyshohej lidhur me vrasjen e Ivanoviqit dhe kërkohet nga institucionet e Kosovës.

Marko Roshiq, i akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është po ashtu në listë.

Në mesin e tyre është edhe Radulle Steviq, sipërmarrës serb nga veriu, i njohur për fitimin e shumë tenderëve të institucioneve të Kosovës, për projekte të ndryshme infrastrukturore në veri të Kosovës.

Lista përfshin edhe kompani të shumta nga Serbia dhe Kosova, të cilat janë të lidhura me disa nga të përmendurit më lart.

Në mesin e tyre janë shumë kompani që janë të lidhura me Zvonko Veselinoviqin, si: “Dolly Bell” nga Beogradi, kompania për shitjen e automjeteve “Civija Komerc” nga Shabaci, kompania ndërtimore ‘INCOP’ nga Quprija, kompania e betonit “Aleksinac”, dyqani i pavarur “Prizma” nga Mitrovica e të tjera.

Në listë është edhe kompania “Doo Rad” e Radulle Steviqit në Zveçan, si dhe disa kompani të Milan Radisavleviqit dhe Sinisha Nedelkoviqit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur lajm jashtëzakonisht të mirë vënien në listën e sanksioneve të ShBA-së të grupit të krimit të organizuar në veri, të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq. Haxhiu ka thënë se njerëz të këtij grupi nuk kanë pasur mbështetjen vetëm të Beogradit, por edhe të Prishtinës.

Edhe kryministri Kurti i ka quajtur të mirëseardhura sanksionet ndaj grupit të prirë nga Zvonko Veselinoviq.