Ilustrim

Arrestohet një i kërkuar në Ferizaj, dyshohet për vrasje në Oslo të Norvegjisë

Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me mbështetje të Njësisë Speciale Operative, kanë arritur të lokalizojnë dhe më pas të arrestojnë në Ferizaj, një shtetas kosovar i cili ishte i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar.

“Personi i arrestuar, me inicialet V.A., i lindur në vitin 1989, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze për veprën penale vrasje, të kryer në Oslo më 07.10.2021. Personi i arrestuar përveç shtetësisë kosovare, posedon edhe shtetësi norvegjeze, ndërsa në momentin e arrestimit të njëjtit i është gjetur një armë zjarri si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera të cilat me gjase janë te falsifikuara”. – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndaj personit të arrestuar thuhet se do të vazhdojnë procedurat e parapara për raste të tilla.