Foto-ilustrim

Prokuroria për tragjedinë në Lipjan: Dyshohet se dy prej viktimave u vranë me armë zjarri e një kreu vetëvrasje

Tre persona kanë mbetur të vdekur në një incident tragjik që ka ndodhur sot pasdite në fshatin Rufc të Lipjanit.

Burime të KALLXO.com thanë më herët se viktimat janë familjarë – një çift bashkëshortor dhe djali i çiftit.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar Prokurorinë e Prishtinës.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, tha se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti.

Sipas zëdhënëses, nga informatat nga vendi i ngjarjes dyshimet çojnë drejt vrasjes së dy viktimave nga arma e zjarrit, si dhe një vetëvrasjeje.

Ajo konfirmoi se dyshohet se viktimat janë anëtarë të së njëjtës familje.