Hotel Gray pas bastisjes nga Policia e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Prokurori special Naim Abazi mori pjesë në bastisjet që ndodhën në veri

Sulmin terrorist të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës dhe zhvillimet në lidhje me këtë rast po i udhëheq në hetime prokurori special, Naim Abazi.

Ai edhe gjatë ditës se sotme mori pjesë në bastisjet që zhvilloi Policia e Kosovës në pesë lokacione të ndryshme në tri komunat me shumicë serbe në veri pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Deri më tani siç ka mësuar KALLXO.com, janë bastisur disa prona për të cilat u tha se janë në emër të nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radoiçiq.

Ai dyshohet se i priu grupit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Bastisjet siç ka konfirmuar policia lidhen direkt me sulmin e 24 shtatorit. Deri më tani siç mëson KALLXO.com janë konfiskuar disa vetura dhe automjete të tjera.

Ende nuk dihet nëse prokuroria dhe policia kreu bastisje vetëm në prona që dyshohen se janë në pronësi të Radojiqiq apo edhe të personave të tjerë.

Pesë lokacione në tri komuna me shumicë serbe në veri të vendit janë bastisur nga orët e hershme të mëngjesit nga njësitet e Policisë së Kosovës.

Në të gjitha këto lokacione tashmë ka përfunduar bastisja.

Një vilë, një hotel, një depo e Spitalit në Mitrovicë deri më tani janë lokacionet ku janë kryer bastisjet e policisë.

KALLXO.com raportoi se policia kishte nisur bastisje edhe në pronat e nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radojiçiq.

Ky i fundit pretendohet se i priu sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Sulmi terrorist i 24 shtatorit la një të vrarë, një të plagosur. Ndërsa të paktën 3 pjesëtarë të grupti terrorist ishin vrarë.

Sipas Policisë, këto operacione që u zhvilluan mëngjesin e sotëm, janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

“Këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR” – thuhet në njoftim.

KALLXO.com mëson se në pamjet e publikuara deri tash nga operacioni i sotëm në veri, shihet se Policia e Kosovës janë afër restorantit “Grey”, për të cilin është thënë vazhdimisht se është në pronësi të Millan Radoiçiq.

“Hoteli Grey” gjendet në Mitrovicën e veriut.  Burime të KALLXO.com, tregojnë se përpos restorant “Grey”, Policia e Kosovës, sot ka bastisur edhe një vilë në zonën e liqenit të Ujmanit e cila dyshohet të jetë në pronësi të Radoiçiq.