Foto-ilustrim

Prizren, paraburgim për personin që dyshohet se i shkaktoi lëndime trupore nuses së djalit

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurit D.N.

I njëjti po dyshohet se më 28 shkurt të këtij viti i ka shkaktuar lëndime trupore bashkëshortes së djalit të tij.

Sipas Gjykatës, në orët e pasdites, D.N., pas një mosmarrëveshje të çastit, dyshohet se e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën.

“I pandehuri i revoltuar nga dyshimet e tij se e dëmtuara nuk po kujdeset për fëmijën e saj, fillimisht e ofendon me fjalë, pastaj edhe e sulmon fizikisht duke e kapur në krahun e majtë, e godet me grushte në pjesën e fytyrës si pasojë e së cilës e dëmtuara rrëzohet në tokë, me ç’ rast të njëjtës i shkakton lëndime trupore”-thuhet në njoftim.

Masa e paraburgimit ndaj të pandehurit do të vlejë deri më 28 mars 2022.

Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, në shtëpinë e përbashkët familjare, ku i dëmtuari i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarës dhe cenon sigurinë e saj brenda familjes”-përfundon njoftimin Gjykata.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit.