Prizren, identifikohet i dyshuari për shpërdorim të pasurisë së huaj

Falë bashkëpunimit me media dhe me qytetarët, Drejtoria rajonale e Policisë në Prizren, Stacioni Policor Prizren ka arritur që të identifikojë dhe lokalizojë vendqëndrimin e të dyshuarit H.R., i cili jeton dhe vepron përkohësisht jashtë Kosovës.

Personi ishte i kërkuar nga Policia nën dyshimin për përfshirje në rastin – shpërdorim i pasurisë së huaj.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet në Prokurorinë Themelore në Prizren.

I njëjti është intervistuar në bazë të procedurave ligjore, ku janë gjetur prova të qëndrueshme se i dyshuari në fjalë është i involvuar në këtë rast.

Policia ka kërkuar pardje ndihmën e qytetarëve për identifikimin e personit, për të cilin dyshohet se më 24 prill 2023, rreth orës 11:30, nuk e kishte kthyer shumën e parave të cilat ia kishte dhënë gabimisht punonjësi i një këmbimoreje.

Sipas ankuesit, derisa ishte duke punuar kishte ardhur një klient për të bërë këmbim të valutave nga krona daneze në euro.

Sipas njoftimit, ankuesi ka bërë gabim me mjete monetare gjatë këmbimit dhe në vend të 402.25 eurove ia kthen klientit 4,025 euro, ku dallimi del të jetë 3,622.50 euro.