Gjykimi i Bajram Rexhajt - Foto: KALLXO.com

Prizren, gjykimi i ish-oficerit të Qendrës së Paraburgimit shtyhet për shkak të problemeve të tij shëndetësore

Në Gjykatën e Prizrenit ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj Bajram Rexhajt, ish-oficer i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Rexhaj nga Prokuroria po akuzohet se ka pranuar 50 euro ryshfet për të futur në Qendrën e Paraburgimit numër telefoni, kartela mbushëse telefonike dhe një parfum.

Avokati i Rexhajt, Besnik Berisha, ka njoftuar Gjykatën se klienti i tij nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka kërkuar shtyrjen e seancës të caktuar për sot.

Për shkak të mungesës së kushteve ligjore kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka ndërprerë seancën e sotme.

Seanca e radhës është caktuar për më 1 nëntor 2023.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Bajram Rexhaj akuzohet se më 16 mars 2022, në cilësi të personit zyrtar ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Tutje akuza thotë se i pandehuri në ditën kritike në një pompë të derivateve në hyrje të Prizrenit gjatë aplikimit të masës së simulimit të veprës së korrupsionit, ka pranuar para në shumën prej 50 euro me qëllim që të fusë gjëra të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si: numër telefoni, dy kartela mbushëse telefonike dhe një parfum.

Prokuroria pretendon se sendet e ndaluara kanë qenë për një të burgosur me nofkën “Edin”.

Me këtë Rexhaj po akuzohet se ka kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.

Në seancën e shqyrtimit fillestar Rexhaj u deklarua i pafajshëm për akuzën në fjalë.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.