Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Apeli konfirmon aktakuzën ndaj ish-oficerit të Shërbimit Korrektues në Prizren, për marrje ryshfeti

Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën ndaj Bajram Rexhajt, ish-oficer i Shërbimit Korrektues në Prizren i akuzuar për marrje ryshfeti.

Rexhaj po akuzohet se si oficer ka pranuar 50 euro ryshfet për të futur në Qendrën e Paraburgimit numër telefoni, dy kartela mbushëse telefonike dhe një parfum.

Në vendimin që KALLXO.com ka siguruar, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Dafina Osmanit, avokate e të akuzuarit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, shkalla e parë ka vepruar drejtë kur ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit për hedhje të akuzës pasi që nuk paraqiten rrethanat si në ligj.

Shkalla e dytë më tej ka bërë të ditur se nga provat dhe shkresat e lëndës ekzistojnë elementet e veprës penale për të cilën është akuzuar Rexhaj si dhe ekziston dyshimi i bazuar se është kryer vepra penale me të cilën ngarkohet.

Gjykata e Apelit ka konsideruar po ashtu, se provat e grumbulluara gjatë hetimeve janë marrë në mënyrë të ligjshme.

“Për arsyet e lartcekura, kjo Gjykatë vlerëson se Gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit për hedhje të aktakuzës sit ë pabazuar në bazë të dispozitave të KPRK-së”- theksohet në vendim.

KALLXO.com ka mësuar se shqyrtimi i radhës për këtë rast është caktuar më 26 shtator të këtij viti.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Bajram Rexhaj, akuzohet se më 16 mars 2022, në cilësi të personi zyrtar ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Tutje akuza thotë se i pandehuri ditën kritike në pompën e derivateve “Shell” në hyrjen e parë të Prizrenit gjatë aplikimit të masës së simulimit të veprës së korrupsionit, ka pranuar para në shumën prej 50 euro, me qëllim që të fusë gjëra të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si: numër telefoni, dy kartela mbushëse telefonike dhe një parfum për një të burgosur me nofkën “…”.

Me këtë Rexhaj po akuzohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit.

Në seancën e shqyrtimit fillestar Rexhaj nuk e ka pranuar fajësinë.