Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prizren, arrestohet i dyshuari për grabitje

Është arrestuar i dyshuari E.K., i cili gjatë ditës së djeshme në Prizren kishte sulmuar një grua dhe i kishte vjedhur çantën e dorës.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë, identifikimi i të dyshuarit është bërë në bazë të deklaratës së viktimës dhe elementeve të dyshimta nga vendi i ngjarjes.

Më 6 tetor 2021, rreth orës 19:30 minuta, kishte ndodhur një grabitje ku një person i dyshuar kishte goditur viktimën dhe i kishte grabitur çantën e dorës, duke u larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Viktima në çantë kishte një telefon celular si dhe 35 euro para te gatshme.

Viktima, sipas Policisë, kishte marrë lëndime të lehta trupore në fytyrë për të cilat kishte pranuar tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Prizren.

Në lidhje me rastin, sipas Policisë, është informuar prokurori i shtetit, i cili me aktvendim ka ndaluar të dyshuarin E.K., i lindur në vitin 2002, në afat prej 48 orëve.