Para: Ilustrim

Prishtinë, qytetari deponoi në bankë mbi 2 mijë e 600 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara

Dy raste të falsifikimit të parasë janë raportuar gjatë ditës së djeshme në Policinë e Kosovës.

Ngjarjet kanë ndodhur në Lipjan e Prishtinë e dyshohet për mijëra euro të falsifikuara të deponuara në banka të vendit.

Policia ka njoftuar se njëra nga këto raste dyshohet se ka ndodhur në Lipjan më datë 22 janar rreth orës 15:00.

Sipas PK-së ankuesja, zyrtare e bankës dje ka raportuar se një i dyshuar ka deponuar në bankë 343 monedha metalike, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.

“Monedhat janë sekuestruar nga njësitet policore për ekzaminime të mëtutjeshme, ndërsa lidhur me rastin është informuar edhe prokurori” – tha Policia.

Rasti i dytë është raportuar në Prishtinë, në rrugën “Bill Klinton”. Sipas ankuesit, po ashtu zyrtar i bankës, ngjarja ka ndodhur më datë 20 dhjetor 2023, rreth orës 09:00.

Ankuesi ka raportuar se një i dyshuar ka deponuar në bankë 2 mijë e 660 euro, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.

PK njoftoi se monedhat janë sekuestruar nga njësitet policore për ekzaminime të mëtutjeshme, ndërsa lidhur me rastin është informuar edhe prokurori.