Diskutimi publik për Planin Zhvillimor Komunal ngjall debat në mes të qytetarëve dhe Komunës së Prishtinës

Diskutimi publik që është mbajtur sot për Planin Zhvillimor Komunal (PZHK), ka ngjallur debat në mes të qytetarëve dhe përfaqësuesve të Komunës së Prishtinës.

Diskutimi u mbajt mbi hartimin dhe kompletimin e PZHK-së për Prishtinën, për 8 vitet e ardhshme.

Ky diskutim ngjalli mjaft debat të ‘nxehtë’ tek diskutimet për Zonat Rurale, ku qytetarët e mbledhur e shprehën pakënaqësinë e tyre, pasi kryetari i komunës, Shpend Ahmeti dhe nënkryetarët nuk ishin prezent në këtë diskutim.

Gjithashtu, debat të nxehtë pati edhe për fshatin Budovc të komunës së Prishtinës, ku qytetarët e këtij fshati kërkonin që pronat e tyre të lejoheshin t’i shfrytëzonin për ndërtim.

Disa qytetarë pjesëmarrës gjithashtu u shprehën të shqetësuar që ky diskutim publik nuk është duke u xhiruar nga administrata e komunës, kurse nga udhëheqësi i projektit për Planin Zhvillimor Komunal të Prishtinës, Blerim Krasniqi, u tha se është duke u mbajt shënim dhe procesverbal.

Procesi i hartimit të Planit Zhvillimor Komunal të Prishtinës është i ndarë në tre skenarë, është formuar Komisioni si dhe janë caktuar grupet punuese dhe Komiteti Konsultativ, ku përfshihen palët e interesit si përfaqësues të shoqërisë civile, kompanitë, shoqatat.

Udhëheqësi i Sektorit të Planifikimit dhe Koordinatori i procesit të draftimit të PZHK-së, Florim Krasniqi gjatë prezantimit tha se me datat 28 dhe 29 qershor janë mbajtur grupet punuese për kornizën e zhvillimit hapsinor.

“Si proces, duhet marrë parasysh zhvillimet rajonale e globale, e kemi obligim t’i ndjekim trendët e zhvillimit të qendrueshëm, sipas agjendës së Kombeve të Bashkuara. Me këtë Plan, përcaktohen objektivat dhe qëllimet për 8 vitet e ardhshme”, tha Krasniqi.

Sipas tij, në të Plan janë trajtu temat si demografia, ekonomia, infrastruktura dhe vendbanimi.

Ai bëri të ditur se pasi të përpilohet skenari final i projektit, do të dërgohet në Ministri të Ambinetit dhe Planifikimit Hapsinor për miratim, e më pas do të del në diskutim publik për 30 ditë.

Shpend Ahmeti mungon në diskutimin publik për Planin Zhvillimor, qytetarët e konsiderojnë se janë injoruar