Presidentja Osmani takoi shefin e EULEX-it e komandantin e KFOR-it

Pas takimeve që pati me organet e rendit e të sigurisë në vend, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar edhe komandantin e misionit të NATO-s, KFOR dhe shefin e EULEX-it.

Sipas një njoftimi të Presidencës, Osmani priti në takim komandantin e KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia dhe shefin EULEX-it, gjeneral major Giovanni Pietro Barbano.

Në takim, sipas këtij njoftimi, u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit lidhur me sigurinë në Kosovë dhe me theks të veçantë ne veri dhe në vijën kufitare me Serbinë.

“Presidentja Osmani falënderoi komandantin e KFOR-it dhe shefin e EULEX-it për bashkërendimin dhe bashkëpunimin e afërt me institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se në këtë kontekst, e para e shtetit ka mirëpritur vendimin e NATO-s për të shtuar numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it si sinjal i qartë ndaj Serbisë që të heq dorë nga destabilizimi dhe rrezikimi i sigurisë në Kosovë.

“Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj që sfidat aktuale të sigurisë t`i tejkalojë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë” – thuhet në komunikatë.

Gjatë ditës, Osmani ka takuar sot ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha e në një takim tjetër, priti edhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Në të dyja takimet, është diskutuar edhe për veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe për koordinimet me aleatët tanë dhe prezencën ndërkombëtare te sigurisë në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Serbia që të tërheqë të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën.

“I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiq dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm” – thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Në këtë deklaratë janë dhënë edhe detaje lidhur me lëvizjet e ushtrisë serbe drejt kufirit me Kosovën, të cilat Qeveria thotë se po i përcjellë me vëmendje dhe vigjilencë.

 

Qeveria e Kosovës i kërkon Serbisë largimin e forcave ushtarake nga kufiri