Foto: ZKM
Qeveria e Kosovës i kërkon Serbisë largimin e forcave ushtarake nga kufiri
Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Serbia që të tërheqë të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën.
“I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiq dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm” – thuhet në deklaratën e Qeverisë.
Në këtë deklaratë janë dhënë edhe detaje lidhur me lëvizjet e ushtrisë serbe drejt kufirit me Kosovën, të cilat Qeveria thotë se po i përcjellë me vëmendje dhe vigjilencë.
“Lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tri drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës” – deklaron ekzekutivi.
Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë, sipas Qeverisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që siç thotë Qeveria janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Kosovën, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë.
Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti thotë se në këtë vendosje, përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë.
“Shumë herë kemi ngritur shqetësimin për ekzistencën e këtyre 48 bazave të përparme të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe dhe kemi theksuar faktin, tashmë të vërtetuar që këto baza shërbejnë për mbështetje të agresionit të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës” – ka thënë më tej ekzekutivi i Kosovës.
Qeveria thotë se kontaktet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e Bashkimit Europian i ka pasur të vazhdueshme dhe shton se “reagimi i SHBA-së ndaj kësaj qasjeje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë”.
“Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Millan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës” – ka shtuar Qeveria e Kosovës në deklaratën e saj.
Në fund të kësaj deklarate thuhet se institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë janë më të vendosura se kurrë që me çdo kusht të mbrojnë tërësinë territoriale, të ruajnë sovranitetin, rendin kushtetues, rendin publik dhe jetën e qytetarëve të vendit tonë.
SHBA sot është shprehur e shqetësuar me këtë vendosje të trupave serbe në kufi me Kosovën dhe e ka quajtur këtë veprim destabilizues. Ndërkaq, Gjermania ka kërkuar nga Serbia që të bëjë pakësimin e këtyre trupave pa vonesë.