Presidentja Osmani: Gjatë orëve në vijim do të diskutojmë për masat ligjore ndaj Listës Serbe

Presidentja  Vjosa Osmani ka deklaruar se orët në vijim do të diskutohet se cilat masa do merren ndaj Listës Serbe, e cila është përfshirë direkt në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës.

Në një intervistë në televizionin publik (RTK), presidentja shtoi se është për keqardhje që kjo parti nuk përfaqëson interesa të serbëve të Kosovë, por është vegël e Aleksandar Vuçiqit.

“Lista Serbe nuk u distancua pasi është pjesë e sulmeve të tilla, tani ne si institucione po bëjmë të gjitha analizat ligjore, do kemi një takim të përbashkët edhe me kiryeministrin, kreun e Kuvendit për të diskutuar këto çështje gjatë orëve në vijim dhe gjithçka që parashihet me ligj do jenë masat që do merren”- ka thënë Osmani

“Është për keqardhje që Lista Serbe në vend se të ishte një parti që lufton për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, është mjet i Vuçiqit për të luftuar paqen ën Kosovë”- shtoi ajo

Tutje, presidentja Osmani shtoi se ata që më së shumti janë terrorizuar janë serbët e veriut.

Presidentja theksoi se duhet të jemi të gatshëm pasi Serbia mund të ashpërsojë mjetet që përdor kundër Kosovës.

“Të gjithë duhet të jemi së bashku, pavarësisht pozitave që kemi dhe çfarë përfaqësojmë”- tha ajo.

Osmani potencoi se secili veprim dhe deklaratë e presidentit të Serbisë nga sulmi deri më sot vetëm sa e ka konfirmuar përfshirjen direkte në sulmin që ka ndodhur.

“I kanë mbuluar e arsyetuar këto veprime, po i mbajnë në mbrojtje shumë nga këta terroristë. Shumë informata që nuk janë në publik do dëshmojnë se ka qenë një plan shumë më i madh, pra i përmasave shumë më të mëdha, në bazë të armatimit i cili ka qenë për 400 persona”- tha presidentja.

Sipas saj, faktet do dëshmojnë se kishte qëllim të niste një konflikt në Ballkan.

Ajo po ashtu kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që gjuha e dënimit të mos jetë barazuese.