Foto: ZPRK
Presidentja Osmani dekoron me Urdhrin e Lirisë ish-kongresistin Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të mbajtur në Konsullatën e Kosovës në New York ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë ish-kongresistin dhe ish-kreun e Ligës Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi.
Sipas Osmanit, ky është falënderim i qytetarëve të Kosovës ndaj punës së palodhshme së tyre, për konributin e angazhimin e pandërprerë për lirinë, demokracinë, dhe pavarësinë e Kosovës dhe si avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
“Ju keni qenë zëri ynë në kohë të errëta. Ju keni qenë shpresa jonë në kohën e pashpresë. Ju keni qenë katalizator të afirmimit të kërkesave tona kudo në botë, ndaj liria jonë bartë edhe firmën tuaj”- ka theksuar Osmani.
Sipas njoftimit, dekorimi i Joe DioGuardi ka përkuar me ditëlindjen e tij të 83-të, të cilin e uroi Osmani dhe theksoi se “Joe personifikon Amerikën, aleatën tonë të përhershme, ashtu siç na la amanet presidenti historik dr.Ibrahim Rugova”.
Sipas saj, Joe dhe Shirley janë kontribues të jashtëzakonshëm dhe miq të mëdhenj të Kosovës.
“Ju të dy keni nga nje vend të posaçëm në zemrën e secilit kosovar. Ju na përkujtoni sa e zorshme ka qenë lufta jonë për të drejta, liri dhe pavarësi. Ju na kujtoni se pa mbështetjen e miqve nuk arrihen rezultate, ndaj zoti i bekoftë SHBA-të, zoti e bekoftë miqësinë tonë të përjetshme!”- ka shtuar ajo.
Presidentja Vjosa Osmani po qëndron në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.