Presidentja e Sllovenisë: Uroj që Kosova të hyjë në Këshillin e Europës dhe më pas në Bashkimin Europian

Presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc Musar teksa e ka siguruar homologen e saj, Vjosa Osmani, për mbështetjen e plotë të Sllovenisë për Kosovën në anëtarësimin e saj në Këshillin e Europës, ajo ka uruar që Kosova të pranohet në këtë Këshill.

Presidentja Musar gjithashtu mori pjesë në Forumin ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili u organizua nga presidentja Osmani, më 15.04.2024.

Osmani homologen e saj e ka quajtur “mike të madhe” të Kosovës, e cila sipas saj, përfaqëson një vend që ka pasur përkrahje të jashtëzakonshme ndaj Kosovës.

“Sllovenia ishte shteti i parë që i doli në ndihmë Kosovës kur qytetarët e saj shtypeshin. Sllovenia ka përkrahur Kosovën me prezencën e trupave të KFOR. Ka njohur pavarësinë e Kosovës që nga ditët e para. Siç e përmenda, Kosova ka mundur të llogarisë në Slloveninë dhe jemi të interesuar të thellojmë këtë bashkëpunim në fushën e sigurisë, administratës publike e në veçanti të mësojmë nga përvoja e Sllovenisë sa i përket procesit të integrimit europian” – ka deklaruar presidentja Osmani.

Më 16.04.2024 pritet të zhvillohet diskutimi dhe votimi për aplikimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Për të marrë pjesë në këtë ngjarje, ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla ka udhëtuar drejt Strasburgut më 15.04.2024.

Anëtarësimi i Kosovës në KiE është përfshirë si pjesë e Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur më 27.02.2023 dhe në takimin në Ohër, në 18.03.2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12.05.2022.

Në Strasburg ndodhet edhe delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i cili udhëhiqet nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Nevojiten 2/3 e votave të Asamblesë për t’i rekomanduar Këshillit Ministror të KE pranimin e Kosovës.

Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Europës do të mbetej vetëm edhe hapi i fundit, i cili do të ishte vendimi i Këshillit Ministror.

Presidentja Osmani mendon se vota e nesërme në Asamblenë Parlamentare të KE-së në qoftë se është e suksesshme, së bashku me votën në Këshillin e Ministrave, të dy këto vota e fuqizojnë qytetarin e Kosovës. 

Ajo e ka falënderuar presidenten e shtetit slloven pasi tha se deputetët sllovenë kanë ofruar mbështetje që nga fillimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në KE.

“Rruga e Kosovës është e qartë, ne synojmë anëtarësimin në BE dhe NATO. Populli ynë ka kontribuar dhe luftuar para shumë e shumë shekuj, qytetarët e Kosovës janë po aq europianë dhe kontribojnë mbi vlerat e përbashkëta mbi të cilat është ndërtuar BE-ja, njësoj sikurse edhe popujt europianë. Prandaj, besojmë dhe shpresojmë në përkrahjen e Sllovenisë përderisa bëjmë hapa të sigurt drejt anëtarësimit tonë të merituar në familjen tonë euratlantike” – ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, presidentja sllovene teksa e ka falënderuar presidenten Osmani për ftesën që i ka bërë si mysafire speciale, ajo e ka inkurajuar Kosovën që të përfshijë më shumë gra në negociatat me Serbinë.

“Faleminderit që më ftuat në Konferencën për Paqen për Gratë. Siç dëgjuam në konferencë që marrëveshjet paqësore është më lehtë të miratohen dhe të arrihen në qoftë se gratë janë në ekipet negociuese, prandaj inkurajoj Kosovën të përfshjë më shumë gra të negociojë me Serbinë” – tha presidentja Musar.

Si rezultat i kësaj, presidentja Musar beson se dialogu Kosovë – Serbi mund të marrë ca kohë, porse është e sigurt se Beogradi dhe Prishtina do të gjejnë gjuhën e përbashkët në fund në mënyrë që të përfitojë populli.

Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, Musar ka deklaruar se Sllovenia i ofron mbështetje të plotë Kosovës në këtë hap dhe të tjerë hapa ku asaj nuk i është dhënë çasje, siç ka përmendur atë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“E dini që keni mbështetjen e plotë të Sllovenisë për t’iu bashkuar kësaj organizate ndërkombëtare. Integrimi në Këshill të Europës ka të bëjë me popullin në fund të fundit… U trondita kur më tha Vjosa se Kosova është i vetmi vend në Europë pa qasje në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe kjo në shekullin 21 nuk është e drejtë, prandaj do t’iu mbështesim gjatë gjithë rrugës” – ka theksuar Musar.

Në fund të deklaratës për media, Musar ka bërë me dije se Sllovenia është duke festuar 20-vjetorin e anëtarësimit në BE dhe ka uruar që edhe Kosova të pranohet së shpejti në këtë organizatë.

“Uroj që Kosova do të hyjë në Këshillin e Europës dhe më pas Bashkim Europian” – ka uruar Musar.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949.

Presidentja Musar, në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është shprehur e shqetësuar për situatën e grave dhe vajzave në botë, pasi sipas saj, pabarazia gjinore është një veçori e mërzitshme, por e dukshme e civilizimit tonë.

Në këtë rast, Musar ka përmendur një raport të Kombeve të Bashkuara, me ç’rast ka ndarë disa nga përfundimet e tij.

“Një raport i viti 2018 i Kombeve të Bashkuara thotë se gratë shpesh janë të parat që mbesin të uritura kur familjet nuk kanë akses në ushqim të mjaftueshëm. Një vajzë e lindur në një familje të varfër e detyruar në martesë të hershme ka rrezik të madh ta lë shkollën, të lindë fëmijë herët, vështirësi dhe komplikime në lindje dhe përjeton dhunë në familje” – ka thënë presidentja Musar.

Si rezultat i kësaj situate, Musar beson se nuk mund të arrihet barazi gjinore në një të ardhme të afërt. Ajo tha se mund të mos presim të arrihet barazia gjinore as në vitin 2130.

Në këtë rast, ajo ka përmendur situatën e të drejtave të vajzave në Siri, Jemen, Afganistan dhe Ukrainë. Kurse, për Slloveninë ka thënë se ka një politikë feministe të jashtme në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare.

“Sllovenia ka një politikë feministe të jashtme në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare. Si një anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara ne i shohim të gjitha problemet në agjendën e KS të Kombeve të Bashkuara nga një këndvështrim gjinor. Sigurisht, agjenda e Grave, Paqes dhe Sigurisë është një nga prioritetet e punës në Këshill” – ka deklaruar Musar.

Më tej, Musar ka përmendur faktin se në Europë janë gjashtë presidente: ajo së bashku me Osmanin dhe katër presidentet e tjera në Greqi, Maltë, Moldavi dhe Gjeorgji.

“Ne jemi duke ndërtuar rrugën për të gjitha vajzat dhe gratë pas nesh dhe do të doja ta inkurajoj çdo vajzë, grua që ta ndjekë rrugën që duan dhe prindërit duhe t’i mbështesin, sidomos baballarët” – ka theksuar Musar.

Me rastin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Presidenca e Kosovës është përzgjedhur nga SHBA-të për themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Katrina Fotovat, zëvendësdrejtoreshë për çështjet e gruas në Departamentin amerikan të Shtetit dhe presidentja Osmani kanë nënshkruar një dokument, sipas të cilit Kosova është përzgjedhur për themelimin e kësaj Qendre.

Edhe ish- Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, pasi e ka vlerësuar si të rëndësishëm këtë Forum, është shprehur e kënaqur për bashkëpunimin e Kosovës me Departamentin e Shtetit për themelimin e kësaj Qendre në Kosovë.

“Jam e kënaqur që ju do të punoni me Departamentin e Shtetit dhe Insitutin ‘Georgetown’ për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në themelimin e një qendre regjionale të ekselences, për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë. Ky zhvillim i ri do t’iu mundësojë juve dhe regjionit të kuptoni më mirë premtimin e kornizës së Forumit (WPS), themeluar nga SHBA” – ka theksuar Clinton.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj ka vlerësuar lart përmbajtjen dhe qëllimin e këtij Forumi.

Para këtij vlerësimi, ajo ka kujtuar Forumin për Gratë, i cili është mbajtur në vitin 2022.

Në këtë rast, ajo ka ndarë një moment që ka pasur me ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në fund të vitit 2022, disa muaj para se ajo të vdiste.

“Si zakonisht ajo (Madeleine Albright) vazhdonte të fliste se çfarë mund të bënte më shumë për Kosovën dhe në atë takim shkëlqeu ideja e parë e një Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, i cili pastaj u bë zyrtarisht një nga angazhimet tona kyqe. Fatkeqësisht sekretarja Albright ndërroi jetë, por përmes këtij Forumi ne gjithmonë do të sigurohemi se trashëgimia e saj e fuqizimit të grave në Kosovë dhe çdokund në botë do të vazhdojë” – tha presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se frymëzohet nga gratë e Kosovës, siç i ka quajtur ajo “guximtare”.

Të pranishëm në këtë Forum ishin edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ministra, ambasadorë si dhe pjesëmarrës tjerë të shumtë.

Presidenca e Kosovës kishte njoftuar se Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të mbahet më 15 dhe 16 prill 2024, në Prishtinë, ku do të marrin pjesë personalitete të shumta të jetës politike, shkencore, kulturore dhe nga shoqëria civile nga vende të ndryshme të botës.

Me iniciativë të presidentes Osmani, më 22.10.2022 dhe 23.10.2022, në Prishtinë i zhvilloi punimet Forumi ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji në historinë e Kosovës.