Ministrja Gërvalla në Strasburg për hapin e radhës të Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla ka udhëtuar drejt Strasburgut, meqenëse më 16.04.2024 pritet të zhvillohet diskutimi dhe votimi për aplikimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Kësaj ngjarje i hapi rrugë miratimi me sukses i raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, përmes të cilit u konstatua që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Europës.

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar që zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së bashku me zëvendësministrin, Kreshnik Ahmeti, do të zhvillojnë takime dhe do të koordinojnë veprimet e fundit me partnerët dhe aleatët, të cilët po e mbështesin Republikën e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

 “Progresi brenda një periudhe të shkurtër kohore është i jashtëzakonshëm. Janë jetësuar reforma në drejtësi, sundim të ligjit, demokratizim dhe si rezultat Kosova sot ka plotësuar të gjitha kriterët për anëtarësim, duke lënë pas në shumë fusha edhe shtete që janë prej kohësh anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare”- njofton MPJD.

Në Strasburg ndodhet edhe delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i cili udhëhiqet nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Ministria ka shtuar që propaganda dhe fushata e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është jashtëzakonisht e egër dhe bie në kundërshtim të plotë me marrëveshjet e vitit të fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Por shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të KiE-së vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës”- shkruan në njoftimin e Ministrisë.

 Nevojiten 2/3 e votave të Asamblesë për t’i rekomanduar Këshillit Ministror të KiE pranimin e Kosovës.

Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të mbetej vetëm edhe hapi i fundit, i cili do të ishte vendimi i Këshillit Ministror.

Sipas Ministrisë, mundësia e parë për marrjen e këtij vendimi do të ishte takimi më 16 maj të këtij viti.

Më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku u rekomandua që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Në këtë raport të miratuar u kërkua që Kosova të ftohet pa fusnotë, dhe rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Europës.

Raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim.

Kundër votuan dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina.

Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.

Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022, për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pasiqë ministrja Gërvalla, e kishte dorëzuar aplikacionin fizikisht.