Prattipati: Kurti dhe LVV po konsiderojnë që t'i përjashtojnë disa parti politike, serbët e Kosovës duhet të jenë të përfshirë në zgjedhje

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati është takuar me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

Pas takimit, Prattipati ka deklaruar se me të ka folur për tentativën e përjashtimit të partive politike nga procesi zgjedhor në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Prattipati ka shtuar se serbët duhet të jenë të përfshirë në këtë proces.

“Kemi diskutuar me Kryeministrin në detyrë dhe Lëvizja Vetëvendosje po konsiderojnë që t’i përjashtojnë disa parti politike për të marr pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Që të jemi të qartë, ne besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Është me rëndësi kritike që serbët e Kosovës të jenë të përfshirë në këtë proces dhe jemi të shqetësuar për çdo tentim që limiton zgjedhjen e tyre. I kam bërë të qarta këto pika për Kryeministrin në detyrë dhe kam nënvizuar vëmendjen e SHBA-ve për këtë çështje” – ka deklaruar Prattipati për Koha.net.

Lëvizja Vetëvendosje, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kishte votuar kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të cilat u mbajtën më 9 shkurt 2025.

Hekuran Murati, deputet i zgjedhur i LVV-së, pas ndërprerjes së seancës konstituive, më 21.08.2025 ka deklaruar se partitë e ish-opozitës do e certifikojnë Listën Serbe për zgjedhjet lokale, teksa ka shtuar se ish-opozita dëshiron edhe Qeveri të vitit 2019 me LS-në.

“Do ta shihni edhe në ditët në vijim, do të kontribuojnë edhe në certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale, njejtë siç kanë vepruar edhe në të kaluarën” – kishte deklaruar Murati.