Foto: Policia e Kosovës

Poston video në rrjete sociale duke përdorur armë, shoqërohet në Polici 23-vjeçari

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot gjatë ditës është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik një 23-vjeçar, i cili dyshohet se ka përdorur armë.

Sipas një njoftimi, stacioni i policisë në Kaçanik ka pranuar një informatë se një person në rrjetet sociale kishte postuar një video-sekuencë, duke e përdorur një armë zjarri, një pistoletë.

Pas kësaj, njësia e hetimeve ka arritur që në fshatin Dubravë të Kaçanikut të identifikojë personin e dyshuar me inicialet A.T., i moshës 23-vjeçar.

I dyshuari sot është intervistuar nga policët hetues, e me vendim të prokurorit është liruar për procedurë të rregullt hetimore.

Policia tha se si provë materiale është sekuestruar arma e zjarrit dhe rasti është cilësuar si – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.